Ministri i jashtëm italian: Do të jem zëri i qytetarëve të Kosovës për liberalizim të vizave

Ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi Di Maio është pritur në takim nga ministrja e punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla Schwarz.

Di Maio dhe Gërvalla Schwarz kanë mbajtur edhe një konferencë të përbashkët për media, në të cilën ministri i jashtëm italian është zotuar se do të jetë zëri i qytetarëve të Kosovës për të kërkuar liberalizim të vizave për ta.

“E ardhmja e Kosovës është në Evropë. Do të jemi zëri i qytetarëve të Kosovës që liberalizimi i vizave të hyjë në agjendë dhe ata të lëvizin lirshëm, tha ministri i jashtëm italian.

Tutje ai shtoi se do ta mbështesin Kosovën në rrugën evropiane.

“Është hera e tretë që e vizitojë Kosovën për një kohë një vjeçare dhe kjo është dëshmi e interesimit tonë për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor. Italia është gjithmonë krah Kosovës në rrugën e saj drejt konsolidimit të institucioneve, forcimin e ligjit e rritjes ekonomike”, tha Di Maio

Ndërkaq, ministrja Gërvalla Schwarz shprehi mirënjohjen e saj ndaj shtetit italian duke shtuar se të dy vendet kanë marrëdhënie të mira.

“Ne jemi shumë mirënjohës për kontributin e Italisë dhe për dërgimin e komandantëve dhe ushtarakëve shumë profesionist të KFOR-it  në Kosovë. Dua të falënderoj për këtë vizitë zyrtare dhe për mbështetjen e Italisë në rrugën e Kosovës drejt integrimeve evropiane”, tha në mes tjerash ministrja.

Kosova dhe Italia sot kanë nënshkruan poashtu edhe marrëveshjen për anulimin e taksimit të dyfishtë.

Marrëveshja u nënshkrua nga Ministri i Financave, Punëve dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe ambasadori i Italisë, Nikola Orlando.

Ministri i Jashtëm, Luigi Di Maio tha se kjo marrëveshje do të nxis investitorët italian të investojnë në Kosovë.