Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Osmani: Ne mbështesim dialogun

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla e ka pritur në takim mëngjesin e së premtes, ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Osmani ka thënë se është e rëndësishme që “të ndalen tensionet në veri të Kosovës”.

“Ne mbështesim dialogun, dhe inkurajoj progresin me deklaratën e personave të humbur. Sa më shumë që e maksimizojmë dialogun, bashkëpunimin aq më shumë e minimizojmë konfliktin. Dialogu është dëshmuar të jetë gjithmonë i frytshëm”- ka thënë Osmani.

Në anën tjetër, ministrja Gërvalla ka thënë se janë pajtuar që të dy qeveritë të punojnë në më shumë marrëveshje tjera dhe e ka falënderuar për punën që ka bërë OSBE-ja.

“Biseduam për implementimin e marrëveshjeve të procesit të Berlinit të dy u pajtuam që duam të besojmë që shtete që kanë nënshkruar do të ecin përpara me implementim”- ka thënë Gërvalla.

Osmani do të takohet me krerët më të lartë shtetërorë duke përfshirë presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Bujar Osmani aktualisht mban edhe pozitën e kryesuesit të OSBE-së.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, nesër viziton Kosovën