Foto: Zyra e Presidentit

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut kundërshton idenë për ricaktim të kufijve në Ballkan

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka theksuar se Maqedonia e Veriut do të qëndrojë krah Kosovës në rrugën e saj evropiane, duke shprehur mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në BE.

Këtë deklaratë ai citohet ta ketë thënë në takimin me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Sipas njoftimit të Presidencës, ministri Osmani “ka kundërshtuar idetë për rivizatimit të kufijve, duke theksuar se Marrëveshja e Ohrit, pavarësia e Kosovës dhe perspektiva euroatlantike e rajonit janë treguar modele të suksesshme”.

Edhe presidentja Osmani ka ritheksuar se skenarë të tillë duhet ta parandalohen bashkërisht.

“Nuk pranojmë ide që prekin kufijtë tanë dhe e bëjnë Kosovën jofunksionale”, ka theksuar ajo.

Në këtë takim, sipas njoftimit, marrëdhëniet bilaterale ndërmjet të dy shteteve janë vlerësuar si të shkëlqyeshme.

“Të dy palët kanë shprehur gatishmërinë që  të thellohen edhe më tej, posaçërisht në sferën e ekonomisë dhe turizmit. Në takim, ndër të tjera është biseduar edhe situata me pandeminë Covoid-19, në të dy shtetet”, vijon njoftimi.

Presidentja Osmani ka thënë se në bashkërendim me  Qeverinë po e bëjnë të pamundshmen që bashkë me partnerët ndërkombëtarë t`i sigurojnë vaksinat për qytetarët e Kosovës.