Ministri i Jashtëm gjerman: Gjermania nuk do ta 'pengojë' Poloninë që të dërgojë tanke Leopard në Ukrainë

Pushtimi rus i Ukrainës filloi më 24 shkurt të vitit 2022. Sulmet nga forcat ruse u raportuan në qytetet kryesore anembanë Ukrainës, duke përfshirë edhe kryeqytetin Kiev. 

Zyrtarët perëndimorë pohuan se për nga shtrirja, lufta mund të jetë më e madhja në Evropë që nga viti 1945. 

Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) verifikoi mbi 6.8 mijë vdekje të civilëve në Ukrainë gjatë luftës që nga dhjetori 2022.

Lufta rezultoi në një krizë humanitare, pasi mijëra ukrainas u larguan në perëndim të vendit të tyre dhe jashtë vendit. 

Polonia fqinje regjistroi numrin më të madh të kalimeve kufitare nga Ukraina, me rreth tetë milionë që nga dhjetori i vitit 2022, e ndjekur nga Rusia, Hungaria dhe Rumania.

Gjermania nuk do të “ndalojë” Poloninë të dërgojë tankse Leopard në Ukrainë, ka deklaruar ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, në atë që dukej të ishte sinjali më i qartë deri më tani nga Berlini se aleatët evropianë mund ta dorëzojnë pajisjen e prodhuar nga Gjermania. I pyetur në një intervistë me televizionin francez LCI se çfarë do të ndodhte nëse Polonia do t’i dërgonte tanket e saj Leopard 2 pa miratimin gjerman, Baerbock u përgjigj përmes një përkthyesi: “Për momentin pyetja nuk është bërë, por nëse do të na bënin ne nuk do t’i pengonim”.

Ndërkohë, Polonia njoftoi se është gati t’i dorëzojë 14 tanke Leopard në Kiev, por është duke pritur për “një deklaratë të qartë” nga Berlini, komente këto të cilat u bënë përpara intervistës së ministres së jashtme gjermane Annalena Baerbock. Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, e ka kritikuar dështimin e Gjermanisë për ta furnizuar Ukrainën me tanke. “Qëndrimi i Gjermanisë është i papranueshëm. Ka kaluar gati një vit që nga fillimi i luftës. Njerëz të pafajshëm po vdesin çdo ditë”, ka shtuar ai.

Kancelari gjerman Olaf Scholz premtoi se Gjermania “do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën – për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, duke deklaruar “së bashku, si evropianë – do të jemi në mbrojtje të projektit tonë të paqes evropiane”. Ministri i ri i mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, planifikon ta vizitojë Ukrainën së shpejti, deklaroi ai për një gazetë gjermane.

Scholz po ashtu ka deklaruar se vendimet e ardhshme për dërgesat e armëve do të merren në koordinim me aleatët, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Nën presionin për ta lejuar dërgimin e tankeve të prodhimit gjerman në Ukrainë, kancelari tha se të gjitha dërgesat e armëve në Ukrainë deri më tani janë bërë në koordinim të ngushtë me partnerët perëndimorë.

Ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson bëri një vizitë të papritur në Ukrainë, ku deklaroi se është “momenti për ta dyfishuar dhe për t’u dhënë ukrainasve të gjitha mjetet që u nevojiten për ta përfunduar punën”. Zyra e kryeministrit britanik ka thënë përmes një komunikate se kryeministri Rishi Sunak është “mbështetës” i vizitës së Boris Johnson, pavarësisht paralajmërimeve se ajo do ta minonte autoritetin e kryeministrit aktual.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha të dielën se nuk e përjashton mundësinë e dërgimit të tankeve Leclerc në Ukrainë. “Sa i përket tankeve Leclerc, i kam kërkuar ministrisë së mbrojtjes që të punojë në këtë drejtim. Asgjë nuk përjashtohet”, tha ai ndërkohë që po fliste në një samit me kancelarin gjerman Scholz.

Rusia pretendon se ka shënuar progres në rajonin Zaporizhzhia të Ukrainës. Pas muajsh ngërçi në rajonin juglindor, zyrtarët e instaluar nga Moska thonë se fronti tani është “i lëvizshëm”, ndërsa ushtria ukrainase raportoi se 15 vendbanime ishin nën zjarr artilerie. 

Zelenskiy është zotuar se Ukraina nuk do ta tolerojë korrupsionin dhe premtoi vendime kyçe të ardhshme për çrrënjosjen e tij këtë javë. “Unë dua që kjo të jetë e qartë: nuk do të ketë më kthim në atë që ka qenë në të kaluarën, në mënyrën se si kanë jetuar njerëz të ndryshëm pranë institucioneve shtetërore apo ata që e kaluan tërë jetën e tyre duke ndjekur karrigen e pushtetit”, tha ai në video fjalimin e tij të natës. BE-ja i ka bërë reformat kundër korrupsionit një nga kërkesat e saj kryesore për anëtarësimin e Ukrainës në bllok, pasi i dha Kievit statusin e kandidatit vitin e kaluar.

Shefi i ushtrisë norvegjeze ka vlerësuar se 180,000 trupa ruse janë vrarë ose plagosur gjatë konfliktit, ndërsa shifra për ukrainasit është 100,000 viktima ushtarake dhe 30,000 civilë të vdekur. Shefi i mbrojtjes norvegjeze Eirik Kristoffersen i dha këto shifra në një intervistë për TV2, pa specifikuar se si janë llogaritur shifrat./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala