Ministri i Jashtëm e Italisë: Kosova gjithmonë do të ketë mbështetjen tonë

Ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi Di Maio, gjatë seancës plenare të mbajtur në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se Kosova gjithmonë do të ketë përkrahjen e Italisë.

“Ju e dini që mund të mbështeteni plotësisht tek Italia. Këtë e kemi dëshmuar që më 12 qershor 1999 kur ushtarët tanë hynë në Kosovë si ushtarë të NATO-s”, ka thënë Di Maio.

Ministri tha se e sheh me besim të madh përmirësimin e raporteve mes Kosovës dhe Italisë në të cilat dialogu ndërparlamentar jep një kontribut të madh. 

“Në të gjitha takimet e mia të sotme arrita të thelloj perspektivën për bashkëpunim mes Romës dhe Prishtinës. Gjatë takimeve kam parë entuziazmin e sinqertë dhe interesim për rritjen e potencialit për bashkëpunimin mes dy vendeve tona” tha ai.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është i hapur për dialog me synimin për arritje të njohjës së ndërsjellë me Serbinë.

Ai ka thënë se njohja e pavarësisë së Kosovës është e domosdoshme dhe se nuk ka kthim prapa e nuk do të ketë përsëritje të tragjedive.

“Do të jemi të hapur për takime e dialog, me synim arritjen e njohjes së dyanshme, siç është shprehur edhe presidenti amerikan Joe Biden. Ne jemi të interesuar për zgjidhjen e këtij problemi, por zgjidhje mund të jetë vetëm njohja e pavarësisë, që tashmë është bërë nga shumica e shteteve të OKB-së, nga 22 prej 27 shteteve të BE-së e nga 26 prej 30 shteteve të NATO-s, e ku në të gjitha është Italia. Njohja e Kosovës e ndihmon Serbinë, e çliron prej mentalitetit sundues e spastrues të trashëguar prej Millosheviqit”, ka thënë Kurti.