Ministri i Financave kritikoi LDK-në për Ligjin për çmimet tavan, LDK: Ministër, shko në shpi

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati sot ka kritikuar LDK-në për dërgim të Ligjit për çmimet tavan në kushtetuese, gjë që sipas tij, do të rregullonte çmimet që janë ende përtej normales.

“Ka ende shumë produkte tjera të cilat vazhdojnë të kenë çmime përtej normales, kryesisht si rezultat i marzhave të larta të fitimit që po aplikojnë tregtarët. Kjo gjë do të rregullohej me Ligjin për Çmimet Tavan, por ja që LDK e ka dërguar në Kushtetuese për ta bllokuar”- ka shkruar Murati.

Lidhur me këtë ka reaguar deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, i është kundërpërgjigjur se u shkoi i gjithë mandati duke vajtuar.

“U shkoj mandati me vaj në buzë. Duhesh me qënë tepër i dështuar, kur je në pozitën e ministrit të financave, në vitin e tretë të mandatit dhe i takon një qeverie që i ka të gjitha nivelet e pushtetit e krejt çka ke me thënë është se “LDK-ja s’po me len me punu”. Le ministër, shko në shpi se kjo nuk është punë për ty – populli thotë nuk shkon me zor”- ka shkruar Bajrami.

Ajo tutje renditi edhe disa dështime, sipas saj, në fushën ekonomike gjatë mandatit të LVV-së.

Viti i tretë i mandatit: asnjë politikë fiskale, asnjë reformë strukturore,asnjë arritje, asnjë listë e publikuar e përfituesëve, investimet kapitale me të ultat në dekadën e fundit, skandale, korrupcion e nepotizëm gjithandej dhe ”fajet LDK-ja”.

Ajo potencoi se LDK-ja do jetë në mbrojtje të kushtetutës gjithmonë.

“Rënia e çmimit të derivateve dhe vajit ushqimor nuk është bërë me ligj, pikërisht tregu i lirë/konkurrenca e ka bërë këtë.  Ju s’keni qënë në gjendje të ndermerrni asgjë, andaj edhe në atë që ke thënë brenda disa rreshtave je kundëthënës edhe vetën”- ka shtuar tutje Bajrami.

Ajo tutje i dha edhe një këshillë ministrit që të mos hartojnë ligje antikushtetuese.

“Dhe një këshillë të sinqerte: mos hartoni/votoni ligje antikushtetuese sepse prapë do të përfundojnë në Gjykatë Kushtetuese, prej tani po të tregoj që Ligji për Fondin Sovran është i tillë për shkak të nenit 65 të tij, andaj mos thuaj nesër “LDK-ja i ka fajet”, sepse ne nuk ndjehemi në faj kur jemi në mbrojtje të Kushtetutës”- ka theksuar me tej deputetja.

Bajrami ia kujtoi ministrit edhe disa afera tjera që janë bërë publike gjatë mandatit të LVV-së.

”Fajet i ka LDK-ja pse Martin Berishaj përpos me diplomaci merret kapak edhe me shit-blerjen e energjisë. Fajet i ka LDK-ja pse kryeshefi i KEK-ut ndodhet në paraburgim. Fajet i ka LDK-ja që s’ka asnjë njohje të shtetit të Kosovës”- është shprehur Hykmete Bajrami.

Murati: Inflacioni ka rënë, çmimet kanë filluar t’i kthehen normalitetit