Ministri i Financave: Kosova ka rikuperuar pothuajse të gjitha humbjet ekonomike nga COVID-19

Hekuran Murati, ministër i Financave, Punës dhe Transfereve ka thënë se Kosova ka rikuperuar pothuajse të gjitha humbjet ekonomike të shkaktuara si pasojë e situatës me COVID-19.

“Rritja e deritanishme tregon se ekonomia e Kosovës ka rikuperuar pothuajse të gjitha humbjet e shkaktuara nga COVID-19 në aktivitetin ekonomik”, tha ai.

Gjatë seancës së Kuvendit, Murati tha se vendi deri në fund të vitit pritet të ketë rritje ekonomike deri në 10%.

“Sa i përket vitit që po lëmë pas, ne si Qeveri kemi përcjellë treguesit për janar-shtator, sipas të dhënave të fundit, bruto produkti vendor ka shënuar rritje mesatare prej 10.5%. Rreth 10% në terma reale dhe 12% në terma nominal, do të jetë rritja ekonomike deri në fund të vitit. Të hyrat buxhetore kanë treguar performancë të kënaqshme”, tha ai.

Murati theksoi se të shpenzimet për vitin 2022 pritet të jenë rreth 8.7% më të larta se buxheti i këtij viti.

“Presim që të kemi një buxhet të balancuar që nga pavarësimi i vendit. Kemi rritje gati tek të gjitha organizatat buxhetore. Borxhi publik është vënë nën kontroll. Si shifër e përgjithshme e shpenzimeve buxhetore parashihet të kemi 8.7 për qind më lartë sesa buxheti i rishikuar i këtij viti. Të hyrat i kemi paraparë 15 për qind më larta sesa buxheti i rishikuar i këtij viti”, tha ai.