Hekuran Murati, Mistri i Financave, Foto: Arta Sopi, KALLXO.com

Ministri i Financave, deklarohet për uljen e TVSh-së dhe akcizës së naftës

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka shprehur qëndrimin e tij lidhur me thirrjet për ulje të akcizës së naftës.

Murati ka shkruar në rrjetin social Facebook se thirrjet për ulje të akcizës së naftës janë thirrje për trashje të fitimit të tregtarëve.

“Që nga marrja e mandatit, ne si Qeveri nuk kemi ngritur as edhe një taksë të vetme. As TVSH-në, e as akcizën e naftës. Me fjalë tjera, nuk ka as edhe një veprim të vetëm të qeverisë që do të kishte ndikuar në rritjen e çmimit të naftës”, ka shkruar Murati.

Sipas Muratit, rritja e çmimit të naftës vjen si rezultat i rritjes së çmimit të furnizimit nga importi, që sipas tij është jashtë kontrollit të tyre, por edhe për shkak të rritjes së marzhës së fitimit nga tregtarët e naftës.

“Po punojmë për një vendim që cakton çmim tavan dhe marzhë maksimale të fitimit, sepse në situata të tilla të jashtëzakonshme, është e domosdoshme që Qeveria të ndërhyjë në treg për stabilizuar çmimet, gjë që parashihet edhe me legjislacionin në fuqi”, tha ai.

Murati ka komentuar thirrjet e opozitës që Qeveria të ulë TVSH-në apo akcizën në naftë ose produkte tjera, duke thënë se nuk i shërbejnë interesit të qytetarëve.

“Përkundrazi, një veprim i tillë vetëm sa do të trashte fitimet e tregtarëve në njërën anë, dhe do të kufizonte mundësitë e shtetit që t’i mbështesë familjet në nevojë në anën tjetër. Ulja e TVSH-së apo akcizës në situata inflacionare, jo domosdo reflektohet në zbritje të çmimit tek konsumatori”, tha Murati.

Murati tha se nuk është hera e parë që në emër të dhembshurisë për qytetarët, partitë e gardës së vjetër me para të buxhetit tentojnë t’u bëjnë favore bizneseve të caktuara.

“E kemi rastin e heqjes së taksës minerare për Ferronikelin dhe për gurthyesit ku buxheti ishte dëmtuar më shumë se 15 milionë euro, e kemi pagesën e 60 milionë eurove me pretendimin se po mbështesin punëtorët për pandemi e në fakt më së shumti përfituan supermarketet, dhe kemi shumë vendime tjera që kanë dëmtuar buxhetin e kanë rrezikuar bankrotimin e shtetit, gjithnjë duke u thirrur në emër të qytetarëve”, tha ai.

Ngjashëm sipas Muratit edhe tani, në emër të qytetarëve, po kërkojnë që shteti të heq dorë nga të hyrat e taksave, por qëllimi sipas tij është tek trashja e fitimit për tregtarët.

“Deri më tani, çdo taksë që ne kemi mbledhur e kemi kthyer tek qytetari. Kështu edhe do të vazhdojmë, sepse për dallim nga ata që ishin, kjo Qeveri është në anën e qytetarëve”, përfundoi Murati.

Gjatë ditës së sotme, Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit se kanë kërkuar debati parlamentar lidhur me rritjen e çmimeve dhe masave urgjente që duhet të merren.

Sipas Arben Gashit, kryetar I grupit parlamentar të LDK-se kanë propozuar edhe rezolutë që do ta diskutojnë me subjektet e tjera lidhur me suspendimin e TVSh-së për tre muaj me mundësi vazhdimi për produktet esenciale dhe akcizën për naftën dhe disa produkte tjera që konsiderohen me ndikim në produktet esenciale për jetën e qytetareve.

LDK-ja kërkon debat parlamentar për rritjen e çmimeve

Edhe deputeti i LDK-së ish kryeministër i Kosovës Avdullah Hoti kishte shkruar në rrjetin social Facebook se kur çmimi i naftës në treg ishte 1 Euro, Qeveria mblidhte 14 centë TVSH për litër të naftës. Kurse sipas tij tani kur çmimi naftës sillet rreth 1.85 Euro, Qeveria mbledh 27 centë TVSH për litër, që është gati dyfish më shumë ngarkesë me TVSH për qytetarin.

“Rrjedhimisht, Qeveria do të mund të përgjysmonte TVSH-në në naftë dhe prapë të mblidhte njësoj të hyra buxhetore. Pse nuk është bërë kjo deri më sot? Si mund të krenohet Qeveria për rritje të të hyrave kur kjo rritje vjen nga rritja e çmimit në kurriz të qytetarit”, ka shkruar Hoti.