Ministri i Drejtësisë viziton Burgun e Sigurisë së Lartë

Ministri i Drejtësisë, Selim Selim së bashku me Kryeimamin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Sadri Bajgora dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues, Nehat Thaçi sot me rastin e Festës së Kurban Bajramit kanë vizituar Burgun e Sigurisë së Lartë në Gërdoc të Podujevës.

Selimi tha që personave të dënuar me burg përveç kryerjes së dënimit sipas Kushtetutës duhet të kenë mundësinë edhe të pendimit për krimin e bërë.

“Të gjithë këta persona të cilët po i paguajnë borxhin shoqërisë për veprat e tyre penale, duhet t’i trajtojmë me dinjitet dhe duhet t’iu japim mundësi që ata ta kryejnë këtë borxh ashtu siç e ka paraparë gjykata. Përveç dënimit, që është pjesë e kryerjes së këtij borxhi, duhet të jetë edhe pjesa e pendimit e cila i përket secilit”, tha ai.

Ndërkaq Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues, Nehat Thaçi, sipas komunikatës ka thënë se vizita e sotme dëshmon edhe një herë se shteti i Kosovës dhe institucionet e saj dinë të jenë afër të burgosurve.

Gjatë kësaj vizite, Kryeimami Bajgora ka theksuar se të burgosurit pas vuajtjes së dënimit, duhet të jenë pjesëtarë të denjë të shoqërisë.

“Kjo shoqëri ka një obligim ndaj njerëzve që t’u ofrojë kushte për një jetë të dinjitetshme edhe në burg, gjithnjë me porosi që ata të reflektojnë për të kaluarën e tyre duke u penduar për atë që kanë bërë dhe shpresuar që pas vuajtjes së dënimit këta persona të jenë pjesëtarë të denjë të shoqërisë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.