Ministri i Drejtësisë reagon pas tërheqjes së amerikanëve nga zgjedhjet në KPK

Ambasada Amerikane në Kosovë është tërhequr nga monitorimi në zgjedhjet e anëtarëve në Këshillin Prokurorial të Kosovës, si dhe kryeprokurororët.

Tërheqja nga monitorimi siç thotë Ambasada është bërë për shkak se këto procese janë “prishur rrënjësisht”.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe Ministri i Drejtësisë Selim Selimi, i cili ka thënë se SHBA-të duhet të mbeten partneri kryesor në zbatimin e ligjit.

“Me shqetësim e kam pritur vendimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për tërheqje nga përzgjedhja e anëtarëve të rinjë të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Këshilli Prokurorial, është organ i pavarur dhe si i tillë duhet të reflektojë seriozisht në kritikat e partnerit tonë më strategjik”, thuhet në reagimin e Ministrit Selimi.

Tutje Selimi ka thënë se transparenca dhe shmangia e ndikimeve politike është e domosdoshme.

“Politika duart larg drejtësisë. Falënderoj Ambasadën e ShBA-së, për përkrahjen në ndryshimin e ligjit që del nga Rishikimi Funksional, e i cili do të përmirësojë punën e Këshillit Prokurorial në sistemin e drejtësisë”, përfundon reagimi i Ministrit Selimi.

Ambasada amerikane tërhiqet nga monitorimi në Këshillin Prokurorial, e quan procesin të thyer