Ministri i Drejtësisë: Procesi i vetingut ka qenë puro politik

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka folur për të gjitha të arriturat e ministrisë që ai udhëheq, brenda 100 ditëve, ku ka theksuar se kanë procesuar dhe janë duke punuar në 17 ligje, 7 rregullore dhe shumë udhëzime administrative.

“Gjatë këtyre 100 ditëve, kemi procesuar dhe jemi duke punuar në 17 ligje, 7 rregullore dhe shumë udhëzime administrative. Gjatë kësaj periudhe kemi miratuar projekt kodin civil, ligjin e pronësisë, familjes dhe trashëgimisë. Kemi procesuar projektligjin për tokën ndërtimore, për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj dhe projekt ligjin për pronën publike. Pas debatit që e kemi pasur në komision për projektligjin për tokën ndërtimore dhe argumentimet që janë dhen aty, unë kam dërguar kërkesën që ky projektligj të kthehet dhe të punojmë së bashku me deputetët që ta bëjmë një ligj më të mirë. Është hartuar projektligji për të drejtën ndërkombëtare private, gjithashtu kemi nënshkruar 3 udhëzime administrative të cilat i mbrojnë personat e akuzuar potencial nga dhomat e specializuara”, ka thënë ai.

Ndër to ai ka theksuar se kanë konfiskuar mbi 1.5 milion të aseteve, parave, arit dhe automjeteve të cilat janë marr në mënyrë të kundërligjshme.

“Agjencia e cila është në ministri të Drejtësisë, ka konfiskuar mbi 1.5 milion të aseteve, parave, arit dhe automjeteve të cilat janë marr në mënyrë të kundërligjshme. Ne e kemi në ruajtje, ato që janë të konfiskuara jemi në procedura të tjetërsimit, ato të sekuestruara jemi duke e pritur vendimin e gjyqësorit për të proceduar”, ka thënë ai.

Gjatë një përmbledhje të punëve brenda 100 dite, Selimi ka theksuar se procesi i vetingut ka qenë “puro politik”.

“Procesi i vetingut ka qenë puro politik, edhe pse ekspertët kanë qenë të mirë, akademik të mirë të fushës, por mënyra e përzgjedhjes dhe detyrat e dhëna mendoj që e kanë reflektuar qëndrimin politik e jo qëndrimin e politikbërjes. Andaj ne kemi vendosur që ky grup të jetë gjithëpërfshirës të jetë reprezentativ dhe të udhëhiqet, ata vet kanë vendosur që të udhëhiqet nga shoqëria civile”, ka thënë ai./ 21 Media