Ministri i Drejtësisë kërkon të kthehen ekspertët e dorëhequr nga procesi i vettingut

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka kërkuar që të rikthehen ekspertët e dorëhequr nga ekipi përgatitor për procesin e vettingut në drejtësi.

Ai tha se ky grup ekspertësh duhet të kthehet që të bëhet ky proces më i besueshëm.

“Pas që i kemi dërgu propozimet për përfaqësuesit e institucioneve, grupi i ekspërteve ka dhënë dorëheqje. Për të qenë korrekt, ne ende do ta mbajmë hapur pikën ku grupi është ende i hapur për vazhdimin e procesit. Të kthehen që ta bëjnë këtë proces sa më të besueshëm”, tha Selimi.

Selimi tutje theksoi se do të dërgohet një propozim vendim në Qeveri në mënyrë që të miratohet kërkesa e tij.

“Një përfaqësues nga Këshilli Gjyqësor, AKK, Policia e Kosovës, AKI, Oda e Avokatëve, përfaqësues nga grupi i ekspertëve, përfaqësues nga ambasada e Amerikës, Italisë, Britanisë, Gjermanisë, OSBE, BE dhe të shoqërisë civile. Të gjithë këta përfshihen në sistemin e llogaridhënies, ku përfshihet procesi i Vettingut “, tha Selimi.

Shtatë ekspertët nga shoqëria civile janë dorëhequr nga grupi punues për procesin e vettingut.

Ariana Qosaj Mustafa, Arton Demhasaj, Arbëresha Loxha, Ehat Miftaraj, Fisnik Korenica, Kreshnik Gashi dhe Kujtim Kërveshi, letrën e tyre të dorëheqjes ia kanë dërguar Ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi dy ditë më parë.

Sipas tyre, dorëheqja vjen pasi sistemi i drejtësisë në Kosovë është duke devijuar përmes qasjes së re, ku pjesëmarrja apo kontributi i grupit të ekspertëve ka humbur rëndësinë.