Ministri i Drejtësisë flet për ngjarjen tragjike në Kamenicë

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka kërkuar nga ana e institucioneve të drejtësisë që të japin dënimin e merituar të dyshuarit për vrasjen e gruas së tij në Kamenicë.

Në një postim në Facebook, Selimi ka thënë se rastet e tilla të dhunës në familje duhet të trajtohen me urgjence.

“Shqetësuese ngjarja e rëndë e vrasjes së qytetares nga bashkëshorti në Dardanë. Ngushëllime të thella familjes së të ndjerës. Me këtë rast, iu bëj thirrje institucioneve të drejtësisë që të japin dënimin e merituar për këtë rast tragjik dhe së bashku me institucionet e sigurisë t’i trajtojnë çdoherë me urgjencë rastet e dhunës në familje”, ka shkruar Selimi.

Tutje ai tha edhe se dhuna në familje dhe keqtrajtimi i grave janë të papranueshme si dhe janë në kundërshtim me të drejtat bazike të njeriut dhe si të tilla nuk do të tolerohen.

Gjatë ditës së sotme KALLXO.com ka raportuar se Gjykata në Gjilan i ka caktuar 30 ditë paraburgim të pandehurit N.M nga fshati Berivojcë të Komunës së Kamenicës, nën dyshimet se i njëjti ka kryer vrasjen e gruas së tij me shufër metalike.

Në dosjen e prokurorisë të cilën e ka siguruar KALLXO.com përshkruhet edhe vepra penale në të cilen thuhet se e gjithë ngjarja kishte ndodhur pas një fjalosjeje mes ciftit bashkëshortor.

Pas kësaj fjalosjeje, burri me një shufër metalike fillimisht e kishte goditur gruan e tij në koke, e më pas kishte vazhduar ta godiste edhe në pjesë të tjera të trupit me ç’rast i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore nga të cilat tani më e ndjera nuk ka arritur të u përballoj dhe ka vdekur.