Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministri i Drejtësisë: Do të angazhojmë kompani të huaj për paditë e 'Iute Credit' dhe 'Devolli' në Arbitrazh

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka thënë në intervistën për KALLXO.com se kanë filluar procedurat për angazhimin e një kompanie të huaj për paditë nga kompania ‘Devolli’ dhe institucioni mikrofinanciar ‘Iute Credit’.

“Duhet të angazhojmë kompani të huaja se kanë më shumë përvojë. Në dy raste që i kemi pending që është Iute Credit dhe Devolli, veç kemi filluar procedurat e një angazhimit të një kompanie. Parametrat i kemi shumë të lartë të përzgjedhjes së kësaj kompanie”, tha Selimi përballë Kreshnik Gashit.

Selimi tha se nuk e di saktësisht se sa para i kanë kërkuar dëmshpërblim.

“Iute për shkak të licencës nga ana e BQK-së na ka paditur dhe kërkon dëmshpërblim dhe Devolli për një vendim që është marrë nga Qeveria që pretendon se i ka shkaktuar dëme”, tha ai.

Ai tha se Kosova i ka të rrezikuara 300 milionë euro në Arbitrazhe.

 

“Ne i kemi fituar disa prej tyre. Kemi shansa t’i ruajmë ato para nga buxheti i Kosovës” tha ai.

Një çështje ndërmjet Telekomit të Kosovës dhe kompanisë ‘Dardafon.net L.L.C.’ kishte përfunduar në Gjykatën e Arbitrazhit.

Kompania ‘Dardafon.net L.L.C.’ kërkon 50 milionë euro nga Telekomi i Kosovës.

90% të aksioneve të kompanisë ‘Dardafon.net L.L.C.’ janë në pronësi të Blerim Devollit, ndërsa kompania “K-com group l.l.c.” i ka në pronësi pjesën tjetër të aksioneve.

Ndërsa, institucioni mikrofinanciar “Iute Credit”, të cilit i është marrë licenca nga Banka Qendrore e Kosovës, e kishte dërguar Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë.

Sipas “Iute Credit Europe”, duke revokuar licencën e biznesit, Kosova ka shkelur disa detyrime sipas Ligjit për Investime të Huaja, siç është detyrimi për të trajtuar “Iute Credit” me një trajtim të drejtë dhe të barabartë sipas neneve 3, 5, dhe 7.