Ministri i Drejtësisë: Deri në tetor përgatitet skenari për vetingun

Ministri i Ministrisë së Drejtësisë, Selim Selimi përmes një konference të mbajtur sot për media ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës ka votuar vendimin e ri për grupin punues për hartimin e modaliteteve dhe skenarëve për çështje të reformës së sistemit të drejtësisë me qëllim të adresimit të llogaridhënies duke përfshirë edhe vetingun.

“Si tregues dhe dëshmi e përkushtimit të qeverisë për realizimin e procesit të reformës ne drejtësi dhe për të bërë hapa përpara në fuqizimin e sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës, sot kabineti qeveritar ka votuar vendimin për themelimin e grupit punues i cili do të dizajnojë skenarët e llogaridhënies duke përfshirë edhe skenarët për vetingun”, ka thënë Selimi.

Ai tutje ka bërë të ditur se kush do të jetë pjesë e grupit punues.

“Pjesë e grupit punues i cili është gjithëpërfshirës do të jenë përfaqësues nga shoqëria civile, të gjithë hisedarët e sistemit të drejtësisë si KGJK, KPK, Gjykata, Prokuroria dhe në rolin mbështetës do të kemi ambasadën e SHBA-së, zyrën e Bashkimit Evropian, Ambasadës e Mbretërisë së Bashkuar, Ambasadën e Gjermanisë, Ambasadën e Italisë, dhe përfaqësues nga misioni i OSBE-së”, u shpreh ministrit.

Sipas Selimit në mënyrë që të respektohet inkluziviteti dhe puna e deritanishme që është bërë është lënë e hapur mundësia që ekspertët e ish grupit të jenë pjesë e këtij procesi.

“Unë edhe njëherë i ftoj të që bashkëngjiten këtij grupi dhe këtij grupi gjithëpërfshirës”, ka thënë Selimit.

Tutje ministri ka bërë të ditur se deri në fund të muajit tetor të këtij viti, ky grup do të përgatitë raportin, duke propozuar skenarë për veting.

“Ne mendojmë që deri në fund të muajit tetor të këtij viti, ky grup do të përgatit një raport mbi skenarët e reformës së sistemit të drejtësisë duke i propozuar edhe skenarët për vetingun”, u shpreh Selimi.

Sipas ministrit, raporti i grupit punues do të shfrytëzohet si bazë për punën e këtij grupi në mënyrë që të bëhet koordinimi me të gjithë partnerët e tjerë strategjik.

“Ekspertët e grupit të kaluar do të kenë mundësin që të kthehen qysh në mbledhjen e parë e cila pritet që të bëhet brenda një jave, dhe unë mendoj që vetingu procesi i vetingun dhe implementimi i saj do të jetë në momentin kur do të dorëzohet raporti me skenar dhe pastaj në qeveri do të vendoset për njërin nga skenarët që do të ndjeket dhe ai skenar do të jetë i implemetueshëm  edhe kjo ka qenë arsyeja që grupi të jetë gjithëpërfshirës”, u shpreh Selimi.