Ministri i Drejtësisë Selim Selimi dhe Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, Foto: MD

Ministri i Drejtësisë: Bashkë me MPB dhe Komunën e Prishtinës do bashkëpunojmë për krijimin e policisë komunale

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi gjatë ditës së sotme ka thënë se në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Komunën e Prishtinës do të punojnë që të zhvillojnë legjislacionin sekondar i cili ka të bëj kryesisht me krijimin e policisë komunale.

Këto deklarata Selimi i bëri pas takimit me të parin e Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“ Disa prej çështjeve të legjislacionit sekondar lidhen edhe me Ministrinë e Drejtësisë dhe ne së bashku me MPB dhe Komunën e Prishtinës duhet ta bëjmë një koordinim për ta zhvilluar atë legjislacion sekondar. Legjislacion sekondar ka të bëjë kryesisht me krijimin e policisë së komunës që do të ndikonte në rritjen e efektivitetit kryesisht me mbrojtjen e qytetarëve dhe çështjen e pronave”, tha ministri Selimi.

Ai gjithashtu tha se një iniciatië tjetër është edhe krijimi i Gjykatës Komerciale, që sipas tij do të ndikoj në çështjet civile që kanë të bëjnë edhe me pronat.

“ E njoftova kryetarin Ahmeti që ne tashmë jemi në përfundim të punës për Gjykatën Komerciale e cila do të jetë përfundimtare deri në shtator-tetor. E dimë që Prishtina është nikoqire e gjykatave më të mëdha dhe me më së shumti punë dhe kjo mund të ketë implikime në punën komunale”, deklaroi ministri Selimi.

Ndërsa kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se së bashku me ministrin Selimi kanë diskutuar për planet dhe qëllimet e Ministrisë së Drejtësisë në veçanti për ato që ndërlidhen me Komunën e Prishtinës.

“ Ka qenë një kërkesë e imja për takim, për të marrë ndihmën e Ministrisë së Drejtësisë dhe së bashku me MPB-në që të përpilojmë legjislacionin sekondar për Policinë e Prishtinës e cila ka dal si obligim nga Ligji për Prishtinën”, deklaroi kryetari Ahmeti.