Ministri i Bujqësisë viziton bujqit e dëmtuar në Junik

Komuna e Junikut ka njoftuar për vizitën e ministrit të Bujqësisë, Besian Mustafa i cili kishte shkuar të shohë nga afër dëmet e shkaktuara nga breshëri.

“Ministri i Bujqësisë z.Besian Mustafa ka vizituar komunën e Junikut, ku nga afër pa dëmet e shkaktuara sektorit të bujqësisë nga stuhia dhe breshëri i fortë që përfshiu komunën e Junikut mëngjesin e djeshëm,” thuhet në njoftim.

Tutje njoftimi thekson se Mustafa ishte pritur nga Kryetari i kësaj Komune, Agron Kuçi i cili e kishte njoftuar për dëmet dhe kishte kërkuar nga Ministri që t’i përkrah fermerët e kësaj komune.

“Kryetari i Komunës së Junikut z. Agron Kuçi mirëpriti vizitën e ministrit Mustafa, të cilin e njoftoj për dëmet që breshëri i fortë i shkaktoj qindra hektarëve të kulturave të ndryshme bujqësore në komunën e Junikut, dëme të pa rigjenerushme duke dëmtuar redimentin dhe llastarët e rinjë që ulin mundësin për një frytdhënje të kënaqshme për vitin e ardhshëm. Kryetari Kuçi kërkoj nga Ministri Mustafa që të shfrytëzoj çdo mundësi për përkrahjen e fermerëve të komunës së Junikut, si potencial i fuqishëm prodhues në vend,” thuhet tutje në njoftim.

Komuna theksoi gatishmërinë e ministrit Mustafa për përkrahjen e këtyre fermerëve të dëmtuar si dhe stimulim të rritjes së prodhimtarisë në nivel vendi.