Ministri i Bujqësisë infektohet me COVID-19

Ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa, ka bërë të ditur se ka rezultuar pozitiv me COVID-19.

Mustafa përmes një komunikate për media në “Facebook”, ka njoftuar se po ndjehet mirë dhe që do mundohet t’i kryej obligimet nga shtëpia ku do qëndroj i izoluar.

“Falënderoj familjen për kujdesin, si dhe të gjithë miqtë dhe dashamirët për interesimin. Por, falënderimet më të mëdha më duhet t’ia drejtoj punonjësve shëndetësorë të cilët po japin maksimumin, duke mos kursyer as shëndetin e tyre, që t’i gjenden pranë qytetarëve të Republikës së Kosovës.Puna e tyre e zellshme po na bën më të fortë në ballafaqimin tonë me armikun ndoshta më të rrezikshëm që jemi ballafaquar deri tani si qenie njerëzore”, ka shkruar Mustafa duke bërë apel të qytetarët që të ruajnë shëndetin.

Numri i rasteve të reja në Kosovë është rritur drastikisht javëve të fundit.

Numri total i rasteve pozitive është 24.792 raste nga 108.482 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 768 raste të vdekjes.

Kosova është duke luftuar me pandeminë e coronavirusit që nga muaji mars, kur edhe u shfaqë rasti i parë i infektimit.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.