Ministri i Bujqësisë apelon të mos digjen hamulloret

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka bërë thirrje të mos digjen hamulloret sepse nga zjarri rrezikohet pasuria, objektet e banimit e madje edhe jetët e qytetarëve.

Apeli i ministrit Peci vjen pas shpeshtimit të zjarreve në fusha e male të Kosovës.

Me zjarre të mëdha sot është përballur sidomos Suhareka.

Kryetari i kësaj Komune, Bali Muharremaj, ka kërkuar ndihmë nga Prizreni, Mamusha e qytetarët që kanë cisterna për të fikur zjarret që kanë përfshirë zona të mëdha në periferi të qytetit.

“Me shqetësim po i pranojme raportimet për djegjen e hamullarëve nga disa fermerë në disa komuna të Republikës së Kosovës. Ju bëjm apel edhe një herë te gjithë fermerëve që të shtojnë kujdesin dhe përkushtimin e tyre për ndaljen e djegëjes së hamullarëve”, ka shkruar ministri Peci në Facebook.

“Djegia e kashtës do të jetë potencial i zjarreve që do të rrezikoj pasurinë e tjerëve, objektet e banimit, objektet ekonomike, si dhe djegien e pyjeve”, ka shtuar ai.