Shpërthimi në Stamboll (13.11.2022)

Ministri i Brendshëm turk njofton për arrestimin e një personi të dyshuar për sulmin në Stamboll

Të paktën gjashtë persona janë vrarë dhe 81 janë plagosur në një shpërthim në një zonë të frekuentuar në qendër të Stambollit, kanë thënë autoritetet turke.

Shpërthimi ndodhi rreth orës 16:20 me orën lokale të dielën në një rrugë tregtare në zonën e Sheshit Taksim, raporton BBC.

Një i dyshuar tani është arrestuar, tha ministri i brendshëm.

Zëvendëspresidenti Fuat Oktay tha më herët se shpërthimi mendohej të ishte një sulm terrorist i kryer nga një grua.

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan tha se autorët do të ndëshkohen.

Duke folur në një konferencë për media në Stamboll, ai dënoi atë që ai e quajti “sulm të poshtër” dhe tha se po vinte “era terror”.

Ministri i Drejtësisë, Bekir Bozdag, tha për mediat turke se një grua ishte ulur në një stol në zonë për më shumë se 40 minuta, duke u larguar vetëm disa minuta para se të ndodhte shpërthimi.

Sot në mëngjes, ministri i Brendshëm, Suleyman Soylu, tha se një person i dyshuar për lënien e bombës është arrestuar nga policia dhe akuzoi Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) si përgjegjës për sulmin.

PKK është një grup militant që bën thirrje për një shtet të pavarur kurd brenda Turqisë. BE dhe SHBA e konsiderojnë atë si një organizatë terroriste.

Askush deri më tani nuk ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin.

Ministri i qeverisë Derya Yanik shkroi në një postim në Twitter se një punonjës i ministrisë dhe vajza e tij e vogël ishin mes viktimave.

Rruga Istiklal – një nga arteriet kryesore të qytetit e cila zakonisht është e mbushur me blerës – ishte shënjestruar më parë nga një kamikaz në vitin 2016.