Aleksandar Vulin, Foto: MUP

Ministri i Brendshëm në Serbi e quan gënjeshtër e shpikje masakrën e Reçakut

Ministri i Punëve të Brendshme, Aleksandër Vulin e ka quajtur shpikje, falsifikim dhe gënjeshtër masakrën e Reçakut.

Këto deklarata Vulin i bëri gjatë një vizite të cilën e kreu te grupi që po xhiron një film për ngjarjet në Reçak.

Pjesa për Reçakun është pjesë e serisë së dokumentarëve “Dosja e Kosovës” dhe e cila po xhirohet në rrethinën e Nishit, për ngjarjet që kishin ndodhur në Reçak në vitin 1999.

“Agresioni i NATO-s filloi pas një gënjeshtre të tmerrshme për Reçakun. Në atë kohë, ne nuk ishim as të aftë dhe as të zgjuar për t’i treguar gjithë botës se çfarë gënjeshtër e tmerrshme ishte. Detyra e këtij brezi është t’i tregojë gjithë botës se na bombarduan dhe na bënë kriminelë falë gënjeshtrës dhe se gjaku i fëmijëve tanë është mbi ata që e shpikën këtë gënjeshtër”, tha ministri Vulin, njofton Ministria e Punëve të Brendshme në Serbi.

Tutje Vulin shtoi edhe se e gjithë ngjarja në Reçak është falsifikim, gënjeshtër dhe fyerje për Serbinë.

“Reçaku është një gënjeshtër e madhe, një falsifikim i tmerrshëm, një fyerje e madhe për mbarë njerëzimin dhe për të gjithë ata që e thanë këtë gënjeshtër, por Reçaku është gjithashtu mundësia jonë për të treguar se sa padrejtësisht jemi shkatërruar, vrarë, sa shumë jemi ndëshkuar për të tjerëve”, tha Vulin.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Radiotelevizioni i Serbisë bashkërisht po prodhojnë serinë e dokumentarëve “Dosja e Kosovës”, i cili trajton kronologjinë e ngjarjeve dhe fatin e civilëve dhe pjesëtarëve të policisë në Kosovë në periudhën nga viti 1998 deri në vitin 2001. Seriali do të përfshijë gjashtë pjesë.

Kujtojmë se ish-ministri Ivan Todosijeviq ka pasur thirrje që të vuaj dënimin me burgim prej dy vitesh, i shpallur fajtor për veprën penale të nxitjes së urrejtjes dhe përçarjes, pasi publikisht kishte deklaruar se masakra e Reçakut ku ishin vrarë 45 shqiptarë e ndodhur me 15 janar 1999 gjatë luftës në Kosovë, ishte një trillim.

Gjykata ka kërkuar nga i njëjti që të paraqitet për vuajtje të dënimit në Burgun e Mitrovicës, gjatë ditës së sotme.

Deri më tani Todosijeviq nuk është paraqitur e as përgjigjur ftesës së organeve gjyqësore, ndërsa KALLXO.com ka kontaktuar me avokatin e tij, Nebojsha Vlajiq.