Foto: KALLXO.com

Ministri i Arsimit: Të gjithë pjesëmarrësit në shkollë janë të obliguar të bartin maskë

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj, i ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit për fillimin e vitit të ri shkollor.

Ai tha se vendimi për të shpallur fillimin e vitit shkollor ka qenë më i vështiri në karrierën e tij. “Është shumë e vështirë të vendoset duke pasur parasysh situatën me COVID-19”, tha ministri në një konferencë për media pas një takimi me drejtues të insitucioneve relevante.

Kreu i Ministrisë tha se institucioni që ai e drejton tash e disa muaj ka bërë përgatitjet, se janë pastruar shkollat, janë vendosur njoftimet se si duhet të sillen, është përgatitur master plani për E-mësimin, është hartuar protokolli për reagimin ndaj pandemisë dhe se secili insititucion arsimor e ka krijuar task-forcën e vet. “Në fund të çdo dite do të ketë raport për procesin mësimor, është bërë orari, janë trajnuar mësimdhënësit për kurrikulën e re por edhe pregatitjet për e-mësmin”, shtoi ministri.

“Kemi vendosur që ora e parë t’i kushtohet pandemisë, dhe nje orë në javë t’i kushtohet informatava të reja për pandeminë. Të gjithë pjesëmarrësit në shkollë janë të obliguar të bartin maskë, janë shpërndarë gjysmë milioni maska për të gjitha shkollat. 300 mësimdhënës me probleme do të jenë jasht procesit mësimor dhe do të mbulohen me paga si dhe 100 punëtorë teknikë”, tha ai.

Në këtë konferencë kanë marrë pjesë edhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, kryesuesi i kolegjiumit të DKA-ve, Besim Avdimetaj, përfaqësuesja e Këshillit të Prindërve, Hadije Zuqaku, e zëvendësministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj.