Ministri i Arsimit shtyn afatin për regjistrimin e studentëve në SMIAL

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, në ditën kur mori vendimin për rritjen e numrit të studentëve në Fakultetin e Mjekësisë të UP-së, po ashtu ka marrë vendim që të shtyhet afati për regjistrim të studentëve në institucionet publike dhe private.

Me këtë vendim, po ashtu është shtyrë afati për vendosjen e studentëve për nivelin e studimeve bachelor në Sistemin e Menaxhimit të Informatave të Arsimit të Lartë (SMIAL) deri më 30 nëntor 2020.

Kurse, për nivelin master mbetet i njëjti afat – deri më 4 dhjetor 2020.

Në vendim thuhet se dorëzimi i librave amë për nivelin bachelor do të bëhet deri më datën 1 dhjetor 2020, kurse për nivelin master deri më datën 10 dhjetor 2020.

Në arsyetim Likaj ka thënë se këtë vendim e ka marrë në bazë të kërkesave të institucioneve publike dhe private dhe se si bazë ligjore e ka udhëzimin administrativ 13/2018.

Sot, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj e ka përkrahur propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj për rritjen e numrit të studentëve në Fakultetin e Mjekësisë për vitin akademik 2019/20.

Likaj vendimin e ka marrë sot dhe në të ka shkruar që të rritet numri për 50 studentë në Mjekësi të Përgjithshme.

Kujtojmë se ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka kërkuar që të rritet numri i studentëve në Fakultetin e Mjekësisë për vitin akademik 2020/2021, për arsye të numrit të vogël të mjekëve në Kosovë.

Zemaj kishte bërë të ditur se kërkesën e ka drejtuar te ministri i Arsimit, Ramë Likaj, te menaxhmenti i UP-së dhe te dekania e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka- Kërliu.

Por, as dekania e Fakultetit të Mjekësisë dhe as rektori i UP-së, Naser Sahiti, nuk janë pajtuar me kërkesën e ministrit Armend Zemaj për rritjen e numrit të studentëve.

Ky është vendimi i plotë: