Ministri i Arsimit komenton akuzat për punën e tij shkencore ndërsa zotohet për depolitizim

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj në një intervistë për KALLXO.com ka treguar për planet e tij për këtë dikaster.

Likaj i është përgjigjur  akuzave ndaj tij për punën e tij akademike e shkencore dhe ka komentuar emërimin e zëvendësministrit të pa diplomuar që ka ngjallur reagime në publik.

Ai ka thënë se do të punojë për depolitizimin e Universitetit të Prishtinës si dhe drejtorive të shkollave.

Likaj ka treguar edhe për prioritetet e tij për nivelin parafillor si dhe për pjesëmarrjen në testin PISA 2021.

 

Më poshtë mund ta lexoni intervistën e plotë:

KALLXO.com: Ministër, a mund të na tregoni pse keni zgjedhur që ta udhëhiqni këtë dikaster?

Ramë Likaj: Pse e kam përzgjedhur këtë dikaster është për arsye se unë punoj në Universitetin e Prishtinës që 26 vite jam i lidhur me arsim dhe ja kam fillu prej një asistent praktikantë, ndërsa pas lufte mënjherë jam kyqur në projekte të financuara nga BE por edhe nga Banka Gjermane por edhe instucione gjermane për 20  vite që kryesisht kanë të bëjnë me arsimin profesional dhe nuk do të thotë që nuk kam qenë pjesë e sektorëve të tjerë të arsimit.

KALLXO.com: Cilat janë planet tuaja që do t’i bëni?

Likaj: Planet të cilat do t’i bëjmë e kemi një plan qeveritar, i cili është aprovuar në Qeveri dhe e kemi dakorduar me partnerët e koalicionit. Ja nisim prej gjithëpërfshirjes edhe arsimit parauniversitar, pastaj të mesëm, profesional që e kemi top prioritet dhe natyrisht edhe arsimin e lartë dhe shkencën. Në secilin prej këtyre sektorëve i kemi prioritetet tona, por duke u bazuar në gjithmonë edhe në planin strategjik të arsimit.

KALLXO.com: Kush është pjesë e stafit tuaj politik dhe a janë të fushës përkatëse?

Likaj: Në staftin tim politik janë kyçur persona të cilat i kam përzgjedhur unë dhe nga partia e cila mua më ka nominuar, për shembull për arsimin profesional e kam personin që është shumë i specializuar në atë fushë, e kam për çështje juridike edhe një person që gjithashtu është i specializuar në fushë të caktuar, ndërsa të gjithë e kanë nga një fushë të specializuar apo të interesit, e cila është e lidhur me veprimtarinë apo me shërbimet që i ofron ministria.

KALLXO.com: Desha të inkuadrohem këtu edhe tek punësimet politike. A do të lejoni punësime politike brenda ministrisë gjatë mandatit tuaj si ministër?

Likaj: Natyrisht se ne jemi duke e shqyrtuar edhe rregulloren për veprimtaritë të brendshme  brenda ministrisë dhe ajo çka ne kemi paraparë në program qeveritar, çka kam deklaruar publikisht që nuk do të ketë ndërhyrje politike në rekrutimin e stafit. Vendet të cilat do të jenë të lira do të jenë më konkurs të hapur dhe njerëzit që i plotësojnë kriteret dhe që do të jenë kompetentë. Sa i përket stafit civil, unë mendoj se këta janë resurs shumë i rëndësishëm dhe nuk do të punojë vetëm me stafin politik, por këtu ka ekspertë që punojnë për 20 vite dhe e njohin shumë mirë fushën dhe do të bashkëpunojë me ta për me i qu prioritetet tona përpara që janë me planin strategjik dhe prioritetet e arsimit përpara.

KALLXO.com: Zoti Likaj, në media është përfolur shumë për zv.ministrin e Arsimit, Driton Bardheci. Cili do të jetë kontributi i tij në ministri dhe sa mendoni që është i kualifikuar?

Likaj: Zv.ministri që është nominuar Driton Bardheci e ka fituar besimin e strukturave udhëheqëse të Aleancës dhe e ka besimin tem. Është një djalë i ri, një djalë i vullnetshëm, i cili ka guxim, ka punuar shumë me rininë dhe i cili natyrisht se i  njeh problemet e rinisë dhe ne i kemi menduar me ja caktuar bashkëpunimin me rini, kryesisht edhe me ministrinë e Kulturës, i kemi disa projekte dhe bashkëpunim, por edhe rinia e pa punë edhe trajnimet të ndryshme. Natyrisht eksperienca e tij nuk është shumë e madhe në MASh, për këtë arsye ne do t’i ndihmojmë që me përfundu me sukses këtë detyrë. Ai është një djalë shumë i pjekur dhe rrjedh prej një familje shumë të pasur dhe ka punuar shumë me rininë dhe i njeh shumë mirë problemet e rinisë studentore, pasi që ne në planin tonë qeverisës kemi paraparë me i përkrahë edhe studentët edhe talentet e ndryshëm.

KALLXO.com: Të kthehemi pak të arsimi parauniversitar. Cilat janë planet tuaja në këtë nivel, pasi që dihet se është një numër i vogël i fëmijëve që janë të inkuadruar, sa çerdhe janë planifikuar të ndërtohen?

Likaj: Ne e kemi në plan qeveritar dhe është edhe në PSAK përfshirja e fëmijëve në arsimit parauniversitar. Numri i çerdheve është relativisht i vogël dhe është dikun 43 çerdhe dhe 9 qendra në bazë në komunitet. Por ne kemi paraparë dhe kemi resurse edhe për këtë vit për ndërtimin e çerdheve të reja, ose e kemi një memorandum mirëkuptimi me Komunën e Kamenicës që dy shkolla fillore, të cilat nuk kanë numër të madh të nxënësve me i adaptuar në çerdhe të fëmijëve, por me i siguruar kushtet të shëndetshme.

Ndihmë të madhe na kanë dhënë edhe partnerët zhvillimor, siç është UNICEF me 4 baza në komunitet është Komisioni Evropian me projektet IPA me 8 çerdhe të reja. Para dy jave kam nënshkruar edhe memorandum me tri komuna të Kosovës, për tri çerdhe të reja, por jemi duke punuar që të sigurojmë infrastrukturën. Por kemi edhe disa probleme të tjera, siç është në Komunën e Hanit të Elezit është një çerdhe që është e ndërtuar, e pajisur por kanë problem me rekrutu staf. Problemet e tilla ne kemi thënë se do t’i adresojmë në Ministrinë e Financave dhe do të punojmë me komunat për me i zgjidh. Edhe disa çerdhe të tjera që janë duke u ndërtu, por presim vetëm inaugurimin dhe fillimin e punës.

KALLXO.com: Konkretisht sa çerdhe do t’i ndërtoni?

Likaj: Ne do të tentojmë që secilës komunë që ka paraqitur projekte për ndërtimin e institucioneve parashkollore me ju ndihmu me numër ndoshta nuk jam në gjendje me thënë, por 8 janë në ndërtim e sipër tash, 4 të përfunduara. Ndërsa, ne i kemi marrë edhe propozimet për vitet vijuese prej komunave për 16 çerdhe të reja. Sa jemi në gjendje me i përballu për shkak të shkurtimeve buxhetore, nuk e di, por ne do t’i japim prioritet dhe do të përkushtohemi, qoftë na vetë qoftë me donatorë me e rritë numrin, sepse sa më herët që fëmijët hyjnë në arsimin parashkollor, ata gjatë jetës së tyre bëhen më kompetentë dhe i kontribuojnë më shumë zhvillimit të tyre dhe shoqërisë.

KALLXO.com: Sa i përket arsimit fillor është një problem që shumë diskutohet në publik, sidomos për politizimin e tij, pikërisht drejtorët e shkollave ose mësimdhënësit. Çka do të bëni për këtë çështje?

Likaj: Ligji i arsimit para universitar, neni 20, e përcakton se përgjegjësinë për të zgjedhur drejtorët e shkollave e kanë komunat sipas ligjit mbi arsimit në komunat. Ka qenë një urdhëresë administrative, ku dihet se si janë krijuar komisionet dhe ka pasur një politizim të skajshëm. Vitin e kaluar urdhëresa administrative është përpunuar dhe është menduar që të barten kompetencat për zgjedhjen e drejtorit dhe stafit tek komiteti, por është tregu se ka probleme dhe është i pa zbatueshëm. Këtë vit, shpejt do ta krijojmë një grup punues që do ta shikon këtë udhëzim dhe do të tentojmë që sa të mundemi me eliminuar politizimin e skajshëm që është në rastin e përzgjedhjes se drejtorëve të shkollave, por edhe njëkohësisht edhe stafit mësimdhënës.

 KALLXO.com: Dëshiroj të koncentrohem edhe në tekstet shkollore. Nxënësit e Kosovës siç dihet janë duke mësuar me disa tekste shkollore që kanë hyrë vitin e kaluar në përdorim dhe janë pilot projekte dhe është parë që ka gabime substanciale dhe gabime drejtshkrimore. Çka do të bëni në lidhje me këtë?

Likaj: Është duke u punuar për mi eleminuar këto të meta. Njëkohësisht grupi punues është shumë aktiv, jo vetëm për rishikimin e këtyre teksteve por edhe të teksteve të reja. Kemi krijuar një grup punues me profesionistë të fushave, pa dallim përkatësie partiake, të cilët kanë me punuar që me i eleminu këto. Natyrisht se në aspektin kohor e kemi pak problem, jemi pak vonë. Nuk e di a mundemi me mbërri me i përgatit për muajin shtator, sidomos klasat 3, 8 dhe 12, por jemi në proces, do të punojmë me kujdes, sa të mundemi me i eliminuar pa ndërhyrje nga jashtë.

KALLXO.com: Ministër, a do të marrë pjesë Kosova në PISA 2021 dhe çka pritni nëse merrë pjesë në këtë test?

Likaj: Për vitin 2021 është herët me fol, për arsye se e kemi pasur edhe mësimin nga distancë dhe kam pranuar një raport të Bankës Botërore, ata kanë simuluar situata të ndryshme për kohëzgjatjen e mësimit në distancë dhe për të metat të cilat  e kanë përcjellur këtë proces. Po ju tregoj që rezultatet  e tij nuk kanë qenë inkurajuese. Kështu që ne duhet të punojmë me kujdes, me ndërmarrë reformë të ngadalshme, të vogël me grupe punuese, me njerëz që janë profesionista për mu përmirësu. Ende nuk kemi bërë plane se a do të marrim a s’do të marrim pjesë në testin PISA dhe rezultatet nuk shihen për një periudhë afatshkurtër.

KALLXO.com: Në planet e Qeverisë Hoti për arsimin është premtuar gjithë përfshirje  të komunitetit jo shumicë në sistemin arsimor, si do të realizohet kjo dhe cilat janë planet për sistemin paralel të arsimit që zhvillohet në Kosovë?

Likaj: Ne në rregulloren e brendshme por edhe në organogramin e ri, e kemi paraparë një zyre për komunitete, ku secili komunitet që është i përfaqësuar me Kushtetutën e Kosovës me pas një përfaqësues. Sa i përket komunitetit RAE ne do të kemi edhe një këshilltar që do të vijë këtu  dhe ata marrin disa bursa nga ministria vetëm për nxënësit e arsimit të përgjithshëm, por edhe ata të arsimit profesional dhe ne si vjet me insistimin tim e kemi rritë këtë buxhet. Ne edhe pse ka pasur shkurtime buxhetore kemi paraparë me rrit këtë buxhet.

Edhe për mësimin në distancë kemi plane konkrete për këtë kategori, jemi duke bashkëpunuar ngushtë me UNICEF dhe Bankën Botërore, por e kemi edhe një buxhet prej 1 milion për me siguru pajisje dhe çanta këtyre fëmijëve, por edhe prindërit.

KALLXO.com: Si e shihni edhe iniciativën e kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastrati në lidhje me reformën në arsim dhe a do t’i përkrahni në të ardhmen iniciativat e tjera lokale?

Likaj: Organizimi apo riorganzimi i shkollave është i paraparë edhe në planet e Qeverisë dhe në planet për arsim për shkak se ekzistojnë rreth 311 shkolla në mbarë Kosovën që kanë numër të vogël të nxënësve. Natyrisht se Kastrati e ka pasur pak për shkak të terrenit atje më të vështirë, për arsye se ai prej 38 shkollave ai ka thënë që me 5 shkolla e mbulon gjithë territorin e Kamenicës.

Ka edhe shkolla që kanë më pak se 25 nxënës dhe kemi marrë raporte, kemi biseduar edhe me të, pastaj është edhe problemi i pagesës dhe distancës së udhëtimit, por duhet me ditë që me ligj të arsimit parauniverstar, arsimi është i obligueshëm dhe janë edhe kriteret e udhëtimit në distancë, por duhet me punu edhe me prind, me komunitetin me ju tregu atyre se fëmijëve ju nevojitet një arsim më cilësor, me kushte më të mira të shëndetshme, pasi disa as nuk e kanë mirëmbajtjen, duhet me pas kujdes edhe në distancë për shkak të udhëtimit natën për shkak të kushteve të ndryshme atmosferike, por duhet me pas komunikim me komunitetin  dhe MAShT edhe ish-ministrja, Bajrami ka komunikuar me ta dhe ka nënshkruar një memorandum të mirëkuptimit dhe kjo do të bëhet gradualisht me ë gjitha palët e interesit, me i bind për përparësitë por edhe të gjitha palët duhet mi përmbush disa kushte për shkak të situatës ekonomike dhe ne e kemi për detyrë këtë vit që së bashku me partnerët ndërkombëtarë një hulumtim të detajuar sidomos për këto shkolla që kanë numër të vogël të nxënësve, se si do të bëjmë dhe si të marrim vendime të bazuar në fakte.

KALLXO.com: Të flasim pak edhe për arsimin e lartë. Ju jeni profesor në UP dhe si do të jetë qasja juaj sa i përket senatit të UP-së në lidhje me avancimet që do të ndodhin në të ardhmen?

Likaj: Universiteti i Prishtinës është universitet i pavarur dhe ushtron veprimtarinë e saj të pavarur. Unë jam i interesuar shumë me depolitizuar shumë universitetin dhe kam qenë brenda në UP për 26 vite dhe gjithë shoqëria e di që në UP ka pasur ndikime politike. UP e ka statusin e vetë që është autonom, natyrisht që për shkak të disa situatave të caktuara edhe në ligjin ekzistues duhet me u rishiku me u siguru një autonomi më e plotë, ose të paktën kjo autonomi më ju bartë njësive akademike që ata me u marrë sepse ata i njohin më mirë specifikat dhe njësitë akademike.

Për shembull, jo një filozof me u marrë me shkenca teknike, ose ne prej shkencave teknike të merremi me problemë të mjekësisë. Decentralizimi dhe bartja e njësive në nivel të akademike për mua është një zgjidhje ideale edhe universitetet e tjera publike do t’i rishikojnë statutet e tyre, sepse një numër i caktuar punojnë me statute të përkohshme dhe unë kam pasur një takim me ta dhe e kanë marrë për detyrë me i rishikua këto statute dhe që i sigurojnë një autonomi dhe një përgjegjësi dhe llogaridhënie dhe jemi duke punuar edhe Ligjin për Arsimin e Lartë që e siguron këtë autonomi, por për shkak të rrethanave që i kemi me komunitetin serb, një ligj i tillë nuk aprovohet, por edhe ligji aktual ua mundëson këtë mundësi, por ne do të punojmë ngushtë edhe në kuadër të universiteteve publike por edhe me grupe punuese me shiku udhëzimin administrativ.

KALLXO.com: Meqë i përmendët universitet e tjera rajonale publike, si prioritet i Qeverisë Hoti është përmendur edhe profilizimi i tyre. A do ta realizoni këtë dhe si e keni menduar?

Likaj: Ekziston një raport të cilën një grup i ekspertëve e ka hartuar përpara me angazhimin e ish-ministrit të Arsimit, mirëpo unë kam kërkuar edhe një raport të detajizuar se si me ndodhë kjo, duke pasur parasysh edhe shtrirjen e tyre edhe traditën, por edhe sektorët prioritar dhe ne do ta marrim atë që është bërë me një projekt të financuar nga ADA që është i detajuar për profilizimin e tyre dhe në strategjinë tonë është.

KALLXO.com: Deshta të ju pyes edhe për Këshillin Drejtues të UP-së që e keni ndërruar, pse e keni bërë një gjë të tillë menjëherë pasi e keni  marrë mandatin?

Likaj: Në muajin mars është emëruar njëra prej anëtarëve të Këshillit Drejtues. Menjëherë në muajin maj në pandemi edhe dy anëtarë të tjerë. Për shkak se ka reaguar edhe opinioni publik kur Keshilli Drejtues i UP-së ka qenë funksional dhe meqenëse ka qenë periudhë zgjedhor dhe me eleminu ndikimin politik për vërejtjet që i kanë dhënë shoqëria civile për këtë nonimim. Unë kam vendosur që këtë Këshill Drejtues me ndryshu duke përfshirë edhe shoqërinë civile me të, në mënyrë që të fillojmë gradualisht depolitizimin e këtij universiteti, sepse e dimë se kush është, çfarë tradite ka dhe çfarë domethënie ka.

KALLXO.com: Ata nuk kanë të kaluar politike apo nuk janë të përfshirë në politikë?

Likaj: Edhe ti mundesh me qenë pjesë e partive politike nëse ke votuar, por nuk janë njerëz të strukturave të partive politike.

KALLXO.com: AAK ka një histori ku ish-kryeministri, Ramush Haradinaj ishte akuzuar për ndërhyje në Këshillin Shtetëror të Cilësisë. Si do të siguroni që KShC do të ketë pavarësi të plotë dhe Agjencioni i Akreditimit të Kosovës ka mungesë të stafit, cila do të jetë qasja juaj në lidhje me këtë dikaster?

Likaj: Është një draft ligj duke u punuar për AKA-në. Ne menjëherë do ta rifreskojmë grupin punues me anëtarë, do të marrim profesionistë të fushës dhe do ta analizojmë dhe ta procedojmë sa më shpejtë. Ai ligj i siguron një autonomi të plotë AKA-së.  Sa i përket KShC-së e dini që ka probleme pasi ju e monitoroni, nuk ka mujt me punu me një dinamik dhe njëkohësisht AKA ka staf shumë të vogël, vetëm sivjet ballafaqohet me akreditimin apo riakreditimin e 207 programeve, kurse janë 7 vete.

Është paraparë me i pas dikun 32 staf me i pas, për 5 veta e di që është bërë kërkesë, por ne do të kërkojmë nga Ministria e Financave me i liru 5 vende sepse është një e pamundshme në një periudhë afatshkurtër, 7 vet me u ballafaqu, jo vetëm me procesin e akreditimit dhe riakreditimit por, ata kanë edhe për detyrë monitorimin. Unë ju siguroj plotësisht që nuk do të ketë asnjë ndërhyrje nga ana e ministrisë, pos asaj që na takon me Ligj si organ, nëse ka pengesa në punën e tyre, por une dje kam kërkuar nga ana e Komisionit Parlamentar ndihmën e tyre për me na ndihmu me i zgjedh disa probleme të brendshme që i ka KShC. Ata duhet me punu, duhet me kry detyrën me përgjegjësi, me i dhënë llogari Kuvendit të Kosovës që i ka ratifikuar.

KALLXO.com: Po ashtu, siç e dini Komisioni i Ankesave të AKA-së nuk është aktiv dhe institucionet e larta të arsimit nuk kanë ku të ankohen?

Likaj: Komisioni i Ankesave nuk është funksional. Ne kemi kërkuar nga drejtori i AKA-së pse nuk është funksional, ai na ka dërguar një raport dhe na ka kërkuar me i nominu anëtarët. Sipas udhëzimit administrativ, dihet kush është në atë komision. Ne i kemi bërë kërkesat, por ende Avokati i Popullit nuk na është përgjigjur për një anëtar dhe as shoqëria civile, por ne besojmë që shpejt do ta kompletojmë këtë komisioni sepse sipas ligjit të procedurës së administratës civile, secili institucion ka të drejtë ankimimi. Kështu që, instuticionet që kanë probleme me akreditim apo probleme të tjera brenda afatit 30 ditor s’kanë ku të ankohen. Një problem që është për stafin, edhe vendimet që duhet mi lëshu vonohen shumë, kjo shkakton pengesë në punën e tyre.

KALLXO.com: Për fund, zoti Likaj si i komentoni gjetjet e raportit të ORCA-s në lidhje me punën tuaj akademike?

Likaj: Me të tregu të drejtën me fyerjet, me shpifjet dhe shantazhet të cilat merren organizatat e tilla që targetojnë në mënyrë të selektuar individë nuk do të merrem. Puna ime dhe veprimtaria ime edhe akademike edhe shkencore është verifikuar përmes komisioneve profesionale, ndërsa vërtetimin e ka bo edhe Këshilli i Etikës i UP-së. Për aryse që ne jo vetëm se kemi pasur telashe në mënyrë selektive, të orkestruar ndaj stafit të Inxhinierisë Mekanike, por jemi ballafaqur edhe për herë të parë në një diskutim që rektori e ka bërë ndaj neve ku nuk ka pasur asnjë vërejtje. Edhe Këshilli i Etikës e ka dhënë verdiktin e vet dhe të gjitha këto kanë qenë transparente dhe me bindje të plotë mund të them se kam punuar gjatë gjithë jetës time me nder dhe për këtë arsye edhe vendimi për ndërrimin e bordit të UP-së, por edhe vendime të tjera, do të jenë në funksion të rritjes së cilësisë në arsim, depolitizimit dhe meritokracisë.

KALLXO.com: Ministër diçka për fund nëse nuk ju kemi pyetur dhe dëshironi të shtoni diçka?

Likaj: Ka edhe shumë gjëra të tjera që mundemi mi bisedu, por besoj që herave të tjera do të flasim për rezultate konkrete në arsim.