Ministri i Arsimit i quan shpifje akuzat për plagjiaturë

13 organizata të shoqërisë civile në Kosovë kanë kërkuar nga Kryeministri Avdullah Hoti që në krye të Ministrisë së Arsimit të ketë njerëz më integritet dhe jo si Ministri Ramë Likaj dhe Zëvendësministrit Driton Bardheci.

Sipas tyre Ministri aktual, Ramë Likaj, nuk përfaqëson etikë akademike dhe profesionale për të qenë në krye të institucionit më të lartë të arsimit.

“Ndonëse SCOPUS i ka përjashtuar për plagjiaturë revistat në të cilat z. Likaj ka publikuar punimet e tij shkencore, ky fakt nuk e ka penguar avancimin e tij brenda universitetit publik, ashtu sikurse as emërimin e tij në krye të dikasterit më të lartë të arsimit në Kosovë”, thuhet tutje në reagim.

Pas këtyre deklaratave ka reaguar ministi Likaj duke thënë se “shpifjet për punën dhe publikimet e mia akademike janë të pabaza, tendencioze dhe të orkestruara jo vetëm në diskreditim timin personal por si vazhdimësi e shantazheve dhe presioneve ndaj Universitetit të Prishtinës Hasan Prishtina (UPHP)”, thuhet në regimin e ministrit.

Sipas tij kjo është tendencë për të ndikuar në zgjedhjet e reja në UPHP në përzgjedhjen e Rektorit dhe dekanëve të njësive akademike, dhe se këto sulme janë të drejtuara edhe kundër punës së mirë që ka filluar si Ministër i MASh.

“Shpifjet dhe shantazhe të tilla të orkestruara nuk më zmbrapsin nga përkushtimi dhe përgjegjësia ime në pozitën e re si Ministër, sikurse që nuk mund të cenojnë në asnjë moment punën time akademike. Puna ime dhe të arriturat akademike të kujtdo brenda janë subjekt i vlerësimit dhe aprovimit nga UPHP. Të gjitha publikimet e mia të cilave mund ti qaseni kurdo dhe nga të gjithë, nga platforma si Research Gate apo Google Schoolar, të gjitha me numër shumë të madh të citimeve, në platformat e njohura Scopus, Ëeb of Science, DOAJ, EBSCO etj. Shpifjet si kjo kanë marrë përgjigje të prerë me vendimin e Këshillit të Etikës me Nr. 3/965 të datës 19.11.2019 dhe nga Këshilli i Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike të datës 23.12.2019. Një kronologji të këtyre dëshmive mund të e gjeni të bashkangjitur si shtojcë në këtë reagim”, thuhet në reagimin e Likajt.

Tutje Likaj ka shkruar se asnjë nga punimet e tij dhe të kolegëve të tij nuk është tërhequr nga platforma Scopus.

“Përkushtimi dhe puna ime 26 vjeçare në UPHP qysh nga viti 1994, është vlerësuar e filtruar nga komisione vlerësuese profesionale, botues të revistave shkencore, komisione vlerësuese të njësisë akademike, këshillit të fakultetit, trupa këshillëdhënëse të Rektorit dhe Senatit të UPHP; dhe atë, gjithmonë në përputhje me të gjitha kriteret e përcaktuara në Statutin e Universitetit të Prishtinës, Rregullores Nr. 465, dt. 02. 03. 2018, për emërim, riemërim dhe avancim dhe Urdhëresës Administrative 01/2018 të MASHT për Parimet e njohjes së platformave dhe revistave ndërkombëtare me recension”, thuhet në reagim.

Sipas Likaj, “transparenca në UPHP siguron llogaridhënie mirëpo transparenca e kapur nga një organizatë e vetme ose edhe një grupi të interesit, përkundrazi, ka krijuar një mekanizëm shantazhues që keqpërdorë transparencën për sulme selektive e vëmendje mediale, jo për dobi të institucionit”.

Sipas tij organizata si kjo që përfitojnë qindra mijëra euro në partneritet me UPHP, MASh-in, e në të njëjtën kohë gjuajnë me ngjyrë Rektorin, e me baltë institucionin, janë shembull tipik i hipokrizisë.

“Ngritja e cilësisë në UPHP nuk bëhet me shantazhe nga jashtë, nga individë pa kredenciale profesionale dhe akademike, por nga mekanizma brenda universitetit. UPHP ka kapacitete të dëshmuara akademike, status dhe rregullore që garantojnë pavarësinë akademike të institucionit. Qenësisht besoj në përgjegjësinë që UPHP ka kundrejt opinionit për transparence dhe llogaridhënie, dhe ky edhe do të jetë synimi im si Ministër”, ka shkruar Likaj.

Ministri i Arsimit ka thënë se përgjatë gjithë shkollimit të tij dhe karrierës së tij 26 vjeçare profesionale, ka punuar shumë, ndershmërisht dhe asnjëherë nuk ka lejuar që me vetëdije të bëj diçka që do të dëmtonte imazhine tij, të familjes së tij të institucionit në të cilin punon, dhe partisë të cilës i takon.

“Unë do të vazhdoj kokën lartë dhe me shumë përkushtim përgjegjësinë time si Ministër i Arsimit dhe Shkencës, kurse, shpifjeve dhe fyerjeve të orkestruara do tu përgjigjem tutje me padi civile”, ka përfunduar Likaj.

Shoqëria civile kërkon largimin e Ministrit të Arsimit, Ramë Likaj dhe Zëvendësministrit Driton Bardheci