Ministri Hekuran Murati dorëzon kallëzim penal për shpronësimin e pronave në rrugën “Prishtinë-Pejë”

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekruran Murati ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale për shpronësimet në segmentin e rrugës Kijevë – Klinë – Zahaq.

“Ministri Murati ka dërguar në Prokurorinë Speciale kallëzimin penal lidhur me procesin e shpronësimeve për projektin e ndërtimit të rrugës nacionale Prishtinë – Pejë, përkatësisht segmentin Kijevë – Klinë – Zahaq, për të cilën raporti i auditimit ka gjetur një shpërputhje prej mbi 12 milionë eurove. Për qëllime të këtij projekti, ishte paraparë shpronësimi i 1,059 pronave, prej të cilave 858 ishin prona private, 148 prona shoqërore dhe 53 prona të privatizuara nga procesi i privatizimit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.

Gjithashtu aty theksohet se në krahasim me vlerësimin e dorëzuar nga Departamentit të Tatimit në Pronë, shuma e miratuar nga Qeveria paraqet një dallim prej mbi 12 milionë euro shtesë në vlerësim. Ky dallim vie për shkakun se për disa parcela me pronarë specifikë, në tabelat e miratuara nga Qeveria që dallojnë nga vlerësimi fillestare, është bërë dyfishimi i vlerës së shpronësimit duke rezultuar kësisoj në fryrje të kostos së përgjithshme të shpronësimit, dhe potencialisht në dëmtim të buxhetit.

Dje Ministri i Financave, Hekuran Murati në konferencë për medie ka thënë se në ndërtimin e rrugës “Prishtinë-Pejë” janë paraparë të paguhen 31 milionë euro, ndërsa në vendimin e Qeverisë së Kosovës kjo shumë është rritur për 12 milion euro.

DOKUMENT – Ky është vendimi i qeverisë Haradinaj për shpronësimin e pronave për autostradën “Prishtinë-Pejë”