Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministri grek: Ne besojmë që Ballkani Perëndimor i takon Bashkimit Evropian

Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias në një konferencë për shtyp të mbajtur bashkë me ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë që prania e tij në Kosovë është për të përçuar mesazh që Greqia ka avokuar për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor.

“Ne e bëjmë këtë, jo për shkak të interesit, por besimin që kemi se ky rajon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Ne besojmë që Ballkani Perëndimor i takon Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Dendias.

Ministri Dendias ka theksuar se Greqia e mbështet vazhdimësinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe i ka bërë thirrje palëve që të arrijnë një zgjidhje të qëndrueshme.

“Unë jam në kontakt me Lajçak, dhe Greqia mbështet përpjekjet”, ka shtuar ministri grek.

Dendias ka potencuar se vizita e tij, shërben për të përmirësuar marrëdhëniet me Kosovën, sidomos ato ekonomike dhe tregtare.

“Ka disa zona apo fusha ku ka potencial të jashtëzakonshëm, duke përfshirë infrastrukturën, bujqësinë, energjinë”, ka shtuar ministri grek.

Ndërsa ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla ka njoftuar se Kosova dhe Greqia janë pajtuar që zyra e Kosovës në Athinë të shndërrohet në një zyrë politike.

“Kosova dhe Greqia janë pajtuar që të ngritet statusi i zyrës së Kosovës në Athinë nga një zyrë e thjeshtë në një zyrë politike. Pavarësia e Kosovës është fakt dhe sa më parë të pranohet kjo, aq më mirë, por duke pasur parasysh faktin që Greqia e sheh ndryshe, do të punojmë në këtë drejtim”, ka thënë Gërvalla në konferencën para gazetarëve mbajtur bashkë me mysafirin e saj.

Ministrja Gërvalla ka thënë se me Greqinë e ndajnë mendimin që integrimi në BE dhe NATO janë synimet e Kosovës.

“Biseduam rreth bashkëpunimit kulturor dhe politik sidomos në atë ekonomik. Njohja e ndërsjellë është një parakusht për thellimin e miqësive”, ka përfunduar Gërvalla.