Foto: Facebook/Kuvendi i Kosovës

Ministri Damka: Të arrestuarit për tenderët me vlerë 100 mijë euro, nuk janë familjarë nga brezi im i parë

Ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, ka reaguar pas lajmeve për arrestimin e dy familjarëve të tij, të cilët dyshohet se fituan tenderë pa plotësuar kritere nga institucionet e shtetit.

Damka në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se personat e apostrofuar nuk janë familjarë të brezit të parë nga familja e tij.

Ai theksoi gjithashtu se tenderët e pretenderuar nuk kanë të bëjnë me ministrinë që ai udhëheqë, kështu duke kërkuar nga organet kompetente të shtetit të ndjekin rastin deri në fund.

“Personat e apostrofuar në portale nuk janë familjarë të brezit të parë të ministrit Fikrim Damka, që nënkupton as fëmijë dhe as vëllezër. Duke pasur parasysh përgjegjësinë publike të ministrit, na lejoni të ju informojmë që tenderët e pretenduar nuk kanë të bëjnë asgjë me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal dhe as me ministrin Fikrim Damka”, thuhet në përgjigjen me shkrim të dërguar nga ministri Damka për KALLXO.com.

Mbrëmë Policia e Kosovës ka arrestuar S.D dhe A.D të dyshuar për dy vepra penale: falsifikim i dokumenteve, dhe keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik.

“Lidhur me rastin pas veprimeve hetimore është vërtetuar se të dyshuarit  kanë paraqitur si referenca në dosjet e tenderëve në vitin 2021, referenca të cilat nuk i kanë fare të deklaruar qarkullimin në Administratën Tatimore të Kosovës dhe qarkullimin Bankar të Falsifikuar në një bankë, vlera e tenderëve të fituar sillet rreth 100,000.00 euro (një qind mijë euro)”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Pas intervistimit të tyre në Drejtorinë për Hetime të Krimeve Ekonomike, A.D. është dërguar në qendrën e mbajtjes ndërsa S.D. për shkaqe shëndetësore është dërguar në trajtim në sigurim të Policisë.

Arrestohen dy persona, dyshohet se fituan tenderë në vlerë rreth 100 mijë euro pa i plotësuar kriteret