Ministri Çeku thotë se e ka njohur edhe më herët ekspertin Visar Salihu

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, në një intervistë në “Kallxo Përnime” ka thënë se ekspertin Visar Salihu, që do të marrë mesatarisht 5 mijë e 560 euro në muaj për dy vite radhazi e ka njohur edhe më herët.

Çeku ka treguar se Salihu ka qenë i angazhuar në MKRS edhe me herët. Ai tha se atë e njeh përmes komunitetit të profesionistëve të arkitekturës.

“Unë zotëri Salihun e njoh prej më herët, ai ka qenë i angazhuar në Ministri edhe më herët, në vitet 2018/2020.  E njoh përmes komunitetit të profesionistëve të arkitekturës, qysh e njoh edhe një numër tjetër të profesionistëve” – shprehet ministri.

Çeku tutje tregon se nga angazhimi që Salihu ka pasur në Ministrinë e Kulturës për dy vite, më pas atij i është dashur që të përballet me ta edhe në gjykatë.

Kjo pasi sipas Çekut, Ministria nuk ia kishte paguar një shumë të konsiderueshme të mjetëve për punën që Salihu kishte kryer.

“Ai i ka kry punët e veta, bile për një pjesë të mirë të shërbimeve që i ka kry atëherë nuk është pagu. I ka mbetë borxh Ministria për atë periudhën 2018/2020” – thotë ministri.

Tutje, Çeku tregon se në momentin që Ministria nuk e ka kryer obligimin ndaj Salihut, ka pasuar procedura e përmbarimit.

“Përmbarimi ka shku në ministri, në atë kohë ministria e ka kundërshtu e ka çu në gjykatë” – shpjegon i pari i Ministrisë së Kulturës.

Çeku tregon se një nga angazhimet e tij kryesore kur ka marrë detyrën si ministër ka qenë që t’i kryejë obligimet e të kaluarës.

“Kemi pasur obligime të prapambetura nga viti 2017, 2018 të zvarritura për një arsye ose tjetër. Ndaj tij (Salihut) ka qenë diku borxhi mbi 70 mijë euro nga kontratat që i ka pasur që nuk iu kanë kry” – ka thënë Çeku.

Tutje ai tregon se kur rasti i Salihut ka shkuar në gjykatë është konfirmur ajo që, sipas Çekut, ka dashtë me kry përmbarimi me kohë.

“Që i bie që gjykata e ka konstatuar me kohë që ky nuk është pagu për punë të cilat i ka kry” – thotë ministri Çeku.

Sipas këtij të fundit, në atë kohë, pra 2018/2020, Salihu nuk ka qenë i angazhuar rregullisht në bazë ditore në ministri, por ka qenë për produkte të caktuara që i ka ofruar kohë pas kohe.

Një hulumtim i KALLXO.com ka zbardhur se Visar Salihu, i cili e ka fituar kontratën e MKRS-së përmes tenderit në një garë që nuk kishte asnjë konkurrent, do të ketë pagën 11 herë më të madhe se një mesimdhënës.

Eksperti i angazhuar nga Ministria që drejtohet nga Çeku i Vetëvendosjes do të ketë pagë dukshëm më të madhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Paga e tij është 3.7 herë më e madhe se e kryeministrit, apo çdo muaj do të marrë nga 4 mijë e 60 euro më shumë eksperti i angazhuar nga Ministria e Kulturës.

Salihu, në dy vitet e ardhshme, do të marrë 97 mijë e 440 euro më shumë se sa kryeministri Albin Kurti.

Eksperti i angazhuar nga Ministria e Kulturës, që do të ketë pagën 11 herë më të madhe se një mesimdhënës, nuk ka dashur të japë detaje për punën që ai do të bëjë në këtë dikaster qeveritar.

“Unë nuk mund të jap informata të tilla, drejtohuni te autoritetet, të gjitha detyrat që janë të përshkruara në kontratë jam i obliguar që t’i kryej” – kishte thënë shkurt Salihu në një bisedë përmes telefonit për KALLXO.com.

Nga Ministria e Kulturës patën thënë se Visar Salihu i angazhuar si analist i lartë i politikave do të ofrojë shërbime profesionale, sipas kërkesës në reformim, zhvillim dhe menaxhim të politikave, programeve e projekteve në kuadër të dikastereve të ndryshme, e të tjera.