Ministri Çeku: Kam pranuar qindra mesazhe fyese dhe kërcënuese nga Serbia

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka thënë se ka pranuar qindra mesazhe fyese dhe kërcënuese nga Serbia.

Çeku ka thënë se këto kërcënime vijnë pas reagimit të tij për flamurin e vendosur në zhveshtoret e lojtarëve të Serbisë në të cilën shihej slogani “Jo dorëzim”.

“Përgjatë dy ditëve të fundit kam pranuar qindra mesazhe fyese dhe kërcënuese nga Serbia, nga momenti që e kemi sensibilizuar opinionin botëror për veprimin shovinist të ekipit të tyre të futbollit në Botërorin Katari 2022” – ka shkruar Çeku në Facebook.

Sipas tij, këto kërcënime tregojnë se shovinizmi serb është rreziku më i madh ndaj paqes në rajon.

“Fyerjet drejtuar familjes sime dhe kërcënimet me vrasje janë tregues të radhës se shovinizmi serb është rreziku më i madh ndaj paqes në rajonin tonë. Demokratizimi i Serbisë dhe shkëputja nga kontrolli rus janë parakushte për siguri e përparim në Ballkanin Perëndimor”, ka theksuar ai.

Tutje ai ka thënë se një nga mënyrat më të mira për të mbrojtur të drejtën dhe të vërtetën tonë është edhe diplomacia qytetare.

“Reagimet publike të shumë qytetarëve tanë i kanë dhënë fuqi ankesës së Federatës së Futbollit të Kosovës drejtuar FIFA-s. Besojmë që Serbia do të marr dënimin e merituar për veprimin skandaloz të tyre që e shndërron sportin në mjet të aspiratave pushtuese” – ka theksuar ai.

FIFA ka nisur procedurat kundër Federatës së Futbollit të Serbisë pasi një flamur që tregonte Kosovën si pjesë e Serbisë ishte varur në dhomën e zhveshjes para ndeshjes që Serbia luajti me Brazilin në Kupën e Botës.

Sipas AP, nga foto që qarkulloi, flamuri është i vendosur mbi dollapët e Milos Veljkovic dhe Andrija Zivkovic, përpara humbjes 2-0 të ekipit ndaj Brazilit të enjten në Katar.

Federata e Futbollit të Kosovës u ankua zyrtarisht në FIFA për këtë ngjarje e madje edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku pati një reagim për këtë rast.

Ai e përshkroi imazhin duke thënë se është përdorur Kupën e Botës për të promovuar “mesazhe urrejtjeje, ksenofobie dhe gjenocidale”.