FOTO: Faqja zyrtare e Federatës së Basketbollit të Kosovës në Facebook

Ministri Çeku dënon lëndimin e policëve gjatë dhunës ndërmjet tifozëve të Prishtinës dhe Trepçës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka reaguar pas dhunës ndërmjet tifozëve gjatë ndeshjes së basketbollit mes Sigal Prishtinës dhe Trepçës.

Çeku ka dënuar lëndimin e policëve dhe të tjerëve gjatë këtij incidenti.

“Në një periudhë aspak të lehtë për shtetin tonë për shkak të zhvillimeve në veriun e Kosovës, lëndimi i policëve në një ndeshje basketbolli është veprim i turpshëm, i papranueshëm dhe i dënueshëm. Sporti nuk është luftë. Palestrat dhe fushat e sportit nuk janë për “trimat” që kanë problem me vetëpërmbajtjen” – ka shkruar Çeku.

“Për fajin e disave, jemi duke pësuar të gjithë, është duke pësuar sporti i Kosovës. Grupet e tifozëve, në emër të mbështetjes së klubeve të tyre të zemrës, janë duke e shkatërruar shpirtin sportiv dhe duke i shndërruar palestrat dhe fushat e sportit në ambiente të pasigurta për qyterarët sportdashës” – ka vijuar kreu i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Sipas tij, ndeshjet e sportit janë momente argëtimi për familjet tona, për të gjitha grupmoshat pa dallim.

Ministri është shprehur se huliganizmi i disave është shndërruar në tmerrin e prindërve që duan të shijojnë sportin bashkë më fëmijët e tyre.

“Këshilli për parandalimin e dhunës në kuadër të Ministrisë së Sportit rregullisht ka trajtuar rastet e dhunës në sport, duke i proceduar ato në institucionet relevante. Prokuroritë dhe gjykatat e Kosovës duhet të jenë më efektive në dhënien e dënimeve për huliganët. Edhe federatat e sportit duhet të vazhdojnë me veprime dhe vendime të ashpra, pa asnjë kompromis ndaj dhunës. Ministria e Sportit, paralelisht me veprimet e tjera, do të jetë e detyruar të zbatojë edhe veprime radikale për prezencën e tifozëve në palestra dhe fusha të sportit” – ka thënë ai.

Tutje Çeku ka bërë të ditur se këshilli për parandalimin e dhunës në sport do të mbledhet nesër në mëngjes për të trajtuar dhunën e shfaqur në ndeshjen e sontme të basketbollit mes Prishtinës dhe Trepçës.