Pamje nga protesta e artistëve. Foto: KALLXO.com.

Ministri Çeku ballafaqohet me artistët protestues, kërkon dëshmi për akuzat për blerje të veprave të artit

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, është ballafaquar sot paradite me artistët të cilët po kundërshtojnë vendimin për blerjen e veprave të artit nga MKRS.

Përballë dhjetëra artistëve të mbledhur para objektit të ministrisë, Çeku ka kërkuar dëshmi për akuzat se komisioni vlerësues në mënyrë të jashtëligjshme, me nepotizëm, favorizim e konflikt interesi ka bërë blerjen e veprave të artistëve.

Dhjetëra artistë nga komuniteti i Artistëve të Arteve Vizuale i kanë kërkuar ministrit që të anulojë në tërësi vendimin e MKRS-së për listën përzgjedhëse dhe gjithë procesi të rinis nga zeroja.

Artistët kanë dhënë edhe vërejtje rreth shumave që janë dhënë për blerje të disa prej veprave.

Çeku u premtoi atyre se lista do të rishqyrtohet dhe kushdo që ka përfituar në mënyrë të paligjshme do të largohet nga kjo listë.

Piktori Hajrush Fazliu tha se komisioni përzgjedhës për blerjen e vepra të artit ka anashkaluar emrat eminentë të arteve pamore të Kosovës.

Ai ka drejtuar akuza ndaj Zake Prelvukajt dhe anëtarëve të tjerë të komisionit, për shkelje në procesin e përzgjedhjes e favorizime të njerëzve të afërm.

“Ku është vlera e atij komisioni që përfaqëson ministrinë, si nuk i ra në mend Zake Prelvukajt të propozojë një Nebi Muriqi, Musa Aliu, etj, ndërsa një element tjetër është se ajo përmes telefonit i ka ftuara (artistët) hajdeni se unë jam ajo që vendos për fatin qytetar, këtu ka edhe ndasi qytetare- fshatar, miqësi dhe familjarizëm, prandaj duhet të rishikohet ky projekt dhe të riorganizohet gjithë procesi me një ekspozitë ku do të shihet se çfarë po blen MKRS-ja”, i ka thënë Fazliu ministrit Çeku.

Piktori Xhevdet Pantina ka thënë se përfitues të thirrjes për blerje të veprave të artit janë edhe anëtarë të këshillave drejtues të MKRS-së, që sipas tij, kjo dëshmon se brenda ka edhe element të konfliktit të interesit.

“Aty ka individë që janë pjesë e bordit dhe që janë përfitues. Ata u japin raport juve dhe me qenë edhe përfitues, është konflikt i hapur”, ka thënë Pantina.

Ndërsa Çeku u ka premtuar artistëve se procesi do të rishikohet dhe nëse vërtetohet se dikush ka përfituar në mënyrë të paligjshme, do të largohet nga lista.

“Duhen dëshmi për këtë që po thoni, jo vetëm deklarata, fjalë. Nëse vërtetohet se dikush ka përfituar në mënyrë të paligjshme dhe ka konflikt të interesit, këtë do ta vërtetojë një zyrë e specializuar për këtë çështje në ministri, e atëherë ata persona do të largohen nga lista”, u ka thënë Çeku artistëve protestues.

Kurse, piktorja Zake Prelvukaj, kryetare e Këshillit Drejtues të Galerisë Kombëtare dhe anëtare e komisionit përzgjedhës, i ka hedhur poshtë akuzat ndaj saj.

Ajo ka thënë se në komision ka qenë vetëm njëra prej anëtarëve dhe përzgjedhja është bërë në bazë të meritës dhe asesi siç e akuzuan artistët që protestuan.

“Përzgjedhja është bërë në bazë të kritereve, konceptit, punës që e kanë bërë, dhe jo me nepotizëm apo ndonjë interes. Shumë të afër të mij, kolegë, nuk janë përzgjedhur. Unë nuk kam pasur ndonjë pozitë në komision, përveç të anëtares sikurse të tjerët”, ka thënë Prelvulaj për KALLXO.com.

MKRS ka publikuar listën përzgjedhëse të blerjes së veprave të artit të artistëve vendorë sipas thirrjes së hapur publike të shpallur më 8 tetor 2021.

Sipas MKRS-së, komisioni vlerësues ka përzgjedhur për blerje 68 vepra arti, të 68 autorëve vendas në vlerë të përgjithshme prej 247 mijë eurove.

Procesi i përzgjedhjes së blerjes së veprave të artit, sipas thirrjes ka kaluar në dy faza të vlerësimit.

Në fazën e parë shqyrtimi është bërë nga një juria në përbërje të: Zake Prelvukaj, Arta Agani dhe Vesa Sahatçiu.

Ndërsa në fazën e dytë shqyrtimi është bërë nga: Sislej Xhafa, Eleni Laperi dhe Dita Starova – Qerimi.