Ministri britanik për Europën: Sulm i tmerrshëm në Ibër-Lepenc, duhet hetim i plotë urgjent
Ministri britanik për Europen, Stephen Doughty, ka reaguar për sulmin në Ibër-Lepenc, duke thënë se ky sulm kishte për qëllim ndërprerjen e jetëve në mbarë Kosovën.
Doughty, në rrjetin X, ka shkruar se për këtë rast duhet të ketë një hetim të plotë dhe urgjent dhe se përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi.
“Sulmi i tmerrshëm në ujësjellësin Ibër Lepencit kishte për qëllim ndërprerjen e jetëve në mbarë Kosovën.Përpjekjet e suksesshme të punonjësve për të frenuar dëmet kanë rivendosur infrastrukturën jetike.Duhet të ketë një hetim të plotë urgjent. Ata që janë përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi”- ka shkruar, Doughty, dje më 30.11.2024.
Një shpërthim ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Vrragë të komunës së Zubin Potokut.
Qeveria e Kosovës thotë se ky sulm është dirigjuar e orkestruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Joseph Borrel e ka quajtur sulm terrorist shpërthimin në kanalin ujor të Ibër Lepencit në Varagë të Zubin Potokut.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar më 30.11.2024 se pavarësisht dëmtimit që shpërthimi shkaktoi në kanalin e Ibër-Lepencit, kanë arritur të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.
Për këtë çështje, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme me 30.11.2024, ku ka diskutuar për këtë shpërthim. Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit të djeshëm, me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar.
Një numër i konsiderueshëm i armëve, pajisjeve ushtarake e pajisjeve të tjera është gjetur gjatë bastisjeve në veri, gjatë ditës së djeshme.
Deri më tani, siç kanë bërë të ditur vet ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla e drejtori i Policisë, janë arrestuar dhe shoqëruar në stacione policore tetë persona.
Të gjitha lajmet rreth situatës pas shpërthimit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit mund t’i lexoni në artikullin e mëposhtëm.
Sulmi terrorist në kanalin e Ibër Lepencit – krejt çfarë dihet deri më tani