Ministri britanik i Drejtësisë jep dorëheqje pas publikimit të gjobës ndaj kryeministrit për ahengun gjatë kohës së izolimit

Boris Johnson është goditur nga dorëheqja e parë ministrore që kur u gjobit nga policia për thyerjen e masave kundër COVID-19.

Ministri i Drejtësisë, David Wolfson, dha dorëheqje pasi tha se veprimet e kryeministrit ishin “në kundërshtim me sundimin e ligjit”, raporton The Guardian.

Wolfson tha se do të ishte e gabuar që “ajo sjellje të kalojë pa ndëshkime kushtetuese, veçanërisht kur shumë persona në shoqëri respektuan rregullat me kosto të mëdha personale dhe të tjerët gjobiten ose ndiqen penalisht për shkelje të ngjashme, dhe ndonjëherë edhe më të parëndësishme”.

Në një letër të postuar në rrjetin Twitter, ministri Wolfson shtoi se nuk kishte “asnjë alternativë tjetër përveçse të jepte dorëheqje”.

Dorëheqja e Wolfson do të ngrejë pikëpyetje në lidhje me udhëheqjen e Johnson, disa orë pasi deputeti konservator Nigel Mills tha publikisht se ai do të dorëzonte një letër mosbesimi ndaj kryeministrit.

Pasojat e këtyre veprimeve erdhën pasi Johnson, gruaja e tij, Carrie, dhe kancelari, Rishi Sunak,  morën njoftime për masa penale si pjesë e hetimit të Scotland Yard’s për një aheng gjatë mbylljes për shkak të COVID-19.

Por me gjithë përpjekjet e disa aleatëve të Johnson për të minimizuar ndejën për të cilën ai u gjobit për pjesëmarrje duke pretenduar se ishte i pranishëm vetëm për nëntë minuta që njerëzit t’i uronin ditëlindjen, Wolfson tha se dukej qartë që ngjarja thyente rregullat e vendosura për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Ai shkroi në një letër drejtuar Johnson të mërkurën pasdite: “Drejtësia shpesh mund të jetë  çështje e gjykatave dhe procedurave, por shteti i së drejtës është diçka tjetër – një parim kushtetues i cili, në rrënjën e tij, do të thotë se të gjithë në një shtet, dhe në të vërtetë vetë shteti i nënshtrohet ligjit”.

“Nuk është vetëm çështja se çfarë ndodhi në Downing Street, apo sjellja juaj. Është gjithashtu, dhe ndoshta më shumë, reagimi zyrtar ndaj asaj që ndodhi. Duke qenë se ne padyshim nuk e ndajmë këtë pikëpamje për këto çështje, më duhet t’ju kërkoj të pranoni dorëheqjen time”, ka shkruar ai.

Wolfson tha se ishte krenar që ndihmoi Qeverinë me reformat e planifikuara gjyqësore.

Wolfson është ministri i dytë i Drejtësisë që jep dorëheqjen nën udhëheqjen e Johnson, pas dorëheqjes së Lord Keen në shtator 2020 mbi përpjekjen e kryeministrit për të thyer potencialisht ligjin ndërkombëtar duke anashkaluar pjesë të marrëveshjes së Brexit.

Johnson dhe Sunak do të gjobiten për pjesëmarrje në tubime festive gjatë kohës së izolimit