Foto: Kallxo.com

Ministri Blerim Kuçi sërish nuk shkon të raportojë para deputetëve, dërgon zëvendësministra

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, nuk ka ardhur në raportim në Komisionin për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike, ndërsa ka sjellë zëvendësministër për raportim.

Anëtarja e komisionit, Mimoza Kusari Lila ka thënë se është hera e dytë që ministri nuk ka ardhur në komision për të raportuar, por ka sjellë zëvendësministrin.

Sipas Kusari- Lilës, kjo gjë nuk është në rregull për shkak se janë çështje jo vetëm të Qeverisë por edhe të komisionit.

Tutje Kusari- Lila ka thënë se nëse edhe njëherë do të ndodh një gjë e tillë nga ministri Kuçi atëherë asnjë projektligj që do të vijë në këtë komision nga MEA nuk do të votohet.

Ky komision sot do të diskutonte lidhur me emërimet e fundit në bordet e përkohshme; gjendjen dhe veprimet e Qeverisë në Ndërmarrjen Trepça ShA dhe për funksionimin dhe operimin e hidrocentraleve.

Për shkak të mosardhjes së ministrit Kuçi, diskutimet për emërimet e fundit në bordet e përkohshme dhe veprimet e Qeverisë në Ndërmarrjen Trepça ShA janë shtyrë për mbledhjen e ardhshme.

Në këtë komision aktualisht po raporton Zyra e Rregullatorit të Energjisë në lidhje me hidrocentralet.