Ministri Bislimi: Pas deklaratës time për zhdukjen e mijëra tonelatave miell, Prokuroria më hetoi mua

Besnik Bislimi, ministër i Financave dhe Transfereve, ka folur në lidhje me deklaratën e tij për zbrazjen e depove, duke theksuar se pas kësaj Prokuroria e ka hetuar atë duke e pyetur se nga ishte informuar e jo kush i la thatë rezervat shtetërore.

“Unë e kam dhënë një deklaratë para një muaji e gjysmë në një emision ku kam thënë se ka problem me rezerva shtetërore. I jam referuar një artikulli në gazetë. Prokurori special më ka thirrë në intervistë, duke më pyetur se nga e di unë. Prokurori special nuk ka shku tek depot ta mas mallin por më ka pyetur mua. Ka mendu ndoshta që më qorton”, u shpreh Bislimi në emisionin “Jeta në Kosovë“.

“Prokurori e ka detyru Njësinë për Hetime Ekonomike të më marrë mua në pyetje. Kjo i bie sikur unë ta thërras nga kjo sallë Policinë të ju them ka ndodhë një aksident në Fushë-Kosovë, e ata me ardh tek unë e jo te aksidenti. Unë kam thënë në depo mungon malli, Prokuroria Speciale nuk shkon te depoja por tek unë,në njëfarë forme filluan të më hetojnë mua”, shtoi tutje ai.

 

Ministri Bislimi shtoi se Njësia për Hetime Ekonomike i kishte thënë se do ta mbajë të informuar lidhur më ecurinë për zhdukjen e mijëra tonelatave miell, por, sipas tij, është iluzion ta besosh këtë.

“Njësia e Hetimeve Ekonomike më ka thënë se do të më informojnë për ecurinë tutje, dhe ende asgjë nuk më kanë informuar, dhe nuk besoj se kanë me ndërmarrë diçka. Në depo janë zhdukur me mijëra tonelata miell dhe është iluzion me prit që kjo do zgjidhet nga Prokuroria brenda ditës”, u shpreh Bislimi.

Sonte në emisionin “Jeta në Kosovë” u transmetua intervista me ministrin e Financave, Besnik Bislimi si dhe debati me shqiptarët e Amerikës, të cilët janë bashkuar dhe mobilizuar në dhjetëra organizata dhe i kanë shkruar letër presidentit Trump, Kongresit e Senatit amerikan, për të ndaluar një marrëveshje potencialisht të dëmshme e të ngutshme mes Kosovës dhe Serbisë.