Ministri Bislimi: Kosova kontribuesi më i madh për rindërtimin e Shqipërisë pas tërmetit

Ministri i Financave, Besnik Bislimi, gjatë mbledhjes së Qeverisë ka konfirmuar që Kosova ka ndarë edhe 200 mijë euro të tjera, për të ndihmuar Shqipërinë, për fazën e rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Bislimi tha se kjo shumë është ndarë gjatë konferencës së donatorëve për Shqipërinë dhe i shtohet shumës fillestare prej 500 mijë eurove, të ndarë në muajin nëntor, menjëherë pas tërmetit.

“Nëse shikohet vlera monetare e të gjitha ndihmave që Kosova ka ofruar, atëherë Kosova është kontribuuesi më i madh, në raport me kapacitetet ekonomike që ka. Nuk ka asnjë vend në Evropë që në raport me të ardhurat kombëtare ka ofruar përqindjen më të madhe të ndihmës për Shqipërinë”, ka thënë Bislimi.

Ai tha se gjatë fjalimit të tij në konferencën e donatorëve ka përmendur ndihmat që Kosova i ka ofruar shtetit shqiptar, si angazhimi i Ushtrisë, Policisë, Emergjencave Civile, Zjarrfikësve dhe njësiteve të kërkim-shpëtimit.