Foto: KALLXO.com

Ministri Besnik Bislimi: Një kontabilist futi veten në lista të kompensimit në 23 biznese

Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi ka sqaruar arsyet se përse punëtorët nuk po marrin pagën prej 170 euro nga pakoja emergjente, si reagim ndaj një artikulli të publikuar në KALLXO.com

Bislimi njoftoi se një masë e punëtorëve i kanë marrë kompensimet ditën e premte, kurse pjesa më e madhe i marrin sot.

“Ministria e Financave ka pranuar përmes platformës së saj në Administratën Tatimore të Kosovës aplikime nga 26.422 biznese për kompensim me nga 170 euro për punëmarrësit e tyre. Numri i përgjithshëm i punëmarrësve është 126.000. Nga këto 26.422 biznese, vetëm 4.4% e tyre, ose 1.162 sosh kanë kërkuar kompensim në llogarinë e punëdhënësit (kjo për arsye se ata kanë dokumentuar që përkundër vështirësive, kanë paguar pagat e punëtorëve të tyre)”, ka shkruar ministri në rrjetin social “Facebook”.

Por, ai deklaroi se ata të cilët nuk i kanë marrë ende mjetet i takojnë njërës nga kategoritë e mëposhtme:

  1. Të dhënat janë ngarkuar gabimisht në sistem (për shembull kontabilisti që kryen shërbime për disa kompani, nga pakujdesi ka ngarkuar listat e gabuara të punëtorëve tek kompanitë përkatëse)
  2. Janë supermarkete, barnatore apo furra të cilat kanë qenë hapur dhe megjithatë kanë ngarkuar pothuajse gjithë stafin e tyre për kompensim (në shumicën e rasteve është fjala për keqpërdorim, për shembull ka rrjet supermarketesh që ka qenë hapur gjithë kohën dhe megjithatë ka plotësuar kërkesë për kompensim të mbi 1.100 punëtorëve, dhe unë e kam ndaluar)
  3. Kërkesa ka ardhur nga ndërmarrje publike apo shoqërore e cila është paraparë të përfitojë nga masa 4 e jo masa 3.
  4. Kërkesa ka ardhur më vonë se tjerat dhe trajtohet në valën e dytë.
  5. Ka të tillë që kanë aplikuar për kompensim më shumë se një herë që nuk është ideja e pakos (për shembull një kontabilist i papërgjegjshëm ka futur veten në listat e punëtorëve të hiq më pak se 23 bizneseve, dhe natyrisht që këso tendenca për keqpërdorime të pakos nuk do lejohen)

KALLXO.com raportoi sot artikullin “I lënë punëtorët pa rrogat e Qeverisë, pronarët aplikuan me llogari të bizneseve“, duke iu referuar komunikatës për media të Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike.

Kjo ministri deklaroi se arsyeja pse ende punëtorët nuk kanë marrë mjetet është se bizneset gjatë plotësimit të formularit kanë shkruar llogarinë e tyre bankare e jo të punëtorëve.