Ministri austriak: Liberalizimi i vizave për Kosovën duhet të ndodhë sa më shpejtë

Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenberg, ka deklaruar se liberalizimi i vizave për Kosovën duhet të ndodhë sa më shpejtë.

Schallenberg në një konferencë të përbashkët me ministren e Punëve të Jashtme kosovare, Donika Gërvalla në Prishtinë, theksoi se duhet të hapen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për anëtarësim në BE. Ai paralajmëroi se do të ngris edhe në samitin e radhës çështjen e liberalizimit të vizave.

“Mendojmë që sulmi i Rusisë në Ukrainë është një thirrje për të zgjuar BE-në për të trajtuar synimin e anëtarësimit në BE. Është i rëndësishëm edhe premtimi që është dhënë para 19 vitesh në Selanik. Duhet të hapen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut mirëpo edhe të bëhet liberalizimi i vizave për Kosovën. Jeni shteti i vetëm që jeni pjesë e programit të Qeverisë që nuk e ka liberalizimin e vizave. Në samitin e radhës do e shprehi ketë”, u shpreh ai.

“Unë jam i angazhuar që procesi reformativ të vazhdoj edhe më tutje i kësaj qeverie në Kosovë. Nëse kthehem dhe mendoj për luftimin e korrupsionit dhe procesin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, këtu ka elemente të ndryshme si ato të energjisë, hapa konkret për fusha të tjera por është e natyrshme që duhet të kemi normalizimin e plotë dhe njohjen”, u shpreh Schallenberg.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se Austria meriton të vlerësohet si një aktere e rëndësishme në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Ajo tha se me homologun e saj kanë diskutuar edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe për rëndësinë që ky proces të përfundojë sa më shpejtë.

“Austria është një shtyllë e rëndësishme për përfaqësimin e interesave të rajonit tonë e në veçanti të Kosovës. Në një fazë të tillë historike të riorientimit të infrastrukturës gjeopolitike duhet të marrim hapa të mos gabojmë. Nënvizova gatishmërinë dhe seriozitetin tonë në këtë proces. Folëm edhe për dialogun me Serbinë. Gatishmëria e të dy palëve për të bashkëpunuar është e madhe”, tha Gërvalla.

Ministri austrik ka zhvilluar një vizitë paraprakisht me presidenten e vendit Vjosa e Osmani dhe nga ora 14:20 kryeministri Kurti do ta pret ministrin në takim.