Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu

Ministri Aliu: Po shqyrtohen mundësitë për anulimin e kontratës me kompaninë ‘Rad’

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë gjatë një konference për media, se ministria që ia drejton po shqyrton mundësitë për të ndërprerë kontratën me Kompaninë “Rad”.

Radulle Steviq, pronar i Kompanisë “Rad” e cila ka përfituar tenderë nga Qeveria për mirëmbajtje të rrugëve në veri të Kosovës është futur një ditë më parë në listën e sanksioneve nga SHBA.

Ministri Aliu ka thënë se kjo kompani nuk ka qenë asnjëherë në listë të zezë, e as të operatorëve të papërgjegjshme që ligjërisht të mos mund të merrte tenderë.

“Jemi duke u marrë seriozisht me këtë çështje, po shqyrtojmë mundësitë ligjore lidhur me këtë kontratë. Urojë që sa më shpejt të gjejmë mundësitë ligjore që ta anulojmë këtë kontratë”,  ka thënë ministri Aliu, gjatë konferencës.