
Ministri Aliu për vizitë zyrtare në Preshevë
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Preshevë ku është takuar me kryetaren e kësaj komune, Ardita Sinanin.
Aliu përmes një postimi në facebook ka thënë se me kryetaren Sinani kanë biseduar për bashkëpunim.
“Në fokus të vizitës ishin diskutime për bashkëpunimin e mëtutjeshëm dhe krijimin e lidhjeve më të sigurta e të qëndrueshme, për avancimin e të drejtave dhe mirëqenien e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc”, ka shkruar Aliu në facebook.
Tutje Aliu është zotuar se qeveria Kurti vazhdimisht do të mbajë takime me qëllim të forcimit të raporteve.
“Jemi të bindur që komunikimi dhe përkushtimi për të bashkëpunuar edhe më tej në aktivitete e projekte të ndryshme kulturore e sportive do të kontribuojë në të mirën e përgjithshme, e ne si Qeveri do të organizojmë takime të rregullta, si domosdoshmëri të punës së përbashkët për të avancuar më tej në krijimin e raporteve të shkëlqyera në mes nesh”, ka theksuar ai.
Të dielën kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani ka kërkuar nga qeveria e Kosovës që ta shqyrtoj vendimin për masat COVID-19.