Ministri Aliu paralajmëron shqyrtim të lejeve të hidrocentraleve

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka paralajmëruar rishqyrtim të të gjitha lejeve e pëlqimeve të lëshuara për hidrocentralet.

Ministri Aliu ka thënë se do të formojnë një komision, i cili do të shqyrtojë tërë dokumentacionin për lejet, pëlqimet e licencat që janë lëshuar për hidrocentralet në Kosovë.

Ai ndër të tjera ka thënë se nëse do të jetë nevoja, pas shqyrtimit të dokumenteve do të krijojnë një moratorium.

Këto, Aliu i ka deklaruar të enjten gjatë një vizite në Malet e Sharrit ku janë të ndërtuara hidrocentralet në lumin Lepenc.

“Do të shqyrtojmë edhe bashkë me zyrtarët e me strukturat e Ministrisë që kanë qenë të përfshira në gjithë këtë proces dhe në diskutim me to nëse do të dalë nevoja e rishqyrtimit, nëse vlerësohet që ka degradim, atëherë monitorimi është i nevojshëm para se të veprojmë tutje”, është shprehur Aliu.

Ministri Aliu ka treguar se të mërkurën ka vizituar lumenjtë në Bjeshkët e Sharrit, e ku nuk ka pasur ujë të rrjedhshëm. Ai thotë se është shqetësuese se si, kur shkojnë pa paralajmërim në lumenj nuk ka ujë, derisa kur e kanë paralajmëruar vizitën për të enjten uji ka pasur rrjedhë normale.

“Ne kemi ardhur dje pa paralajmërim këtu dhe situata ka qenë krejtësisht ndryshe prej kësaj qe kemi sot. Uji ka qenë pothuajse i palëvizshëm dje, sot kemi rrjedhë të ujit. Situata prej orës 5:30 dje dhe asaj sot është krejtësisht ndryshme. Po ashtu, duhet parë edhe pjesën tjetër, dje kemi ecë nëpër të, sepse nuk ka pasur ujë, ndërkaq sot nuk mundemi me ecë. Vizitën që e kemi bërë dje ka qenë për kanalin e betonit që nuk do të duhej të ishte këtu”, ka treguar ai.

Ministri Aliu ka paralajëmruar takime me investitorët e hidrocentraleve në mënyrë që të shqyrtojnë dokumentacionin e hidrocentraleve.

 

 

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.