Ministri Liburn Aliu - Foto: KALLXO.com

Ministri Aliu: Nuk jam njoftuar zyrtarisht për ndonjë hetim, por jam i gatshëm të bashkëpunoj vetëm për drejtësi

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), Liburn Aliu, deklaroi se nuk ka pranuar ndonjë njoftim zyrtar se Prokuroria ka nisur hetime ndaj tij.

Më 21.10.2024, përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se për çdo çështje, çdo hetim apo çdo dyshim, është i gatshëm të bashkëpunojë vetëm për drejtësi.

“Po qarkullon në disa media një lajm se kanë nisur hetime ndaj meje. Unë njoftim zyrtar nuk kam patur, por dëshiroj të njoftoj opinionin publik dhe vetë prokurorinë se për mua autoriteti më i lartë është ligji, se punoj dhe angazhohem çdo ditë për respektimin e ligjeve dhe zbatimin e tyre, dhe se për çdo çështje, çdo hetim apo çdo dyshim, jam i gatshëm të bashkëpunoj vetëm për drejtësi, sipas ligjit, deri në zbardhjen e plotë të çdo rasti”- ka thënë ai.

Portali “Nacionale” raportoi më 21.10.2024 se ndaj ministrit Liburn Aliu, Prokuroria Speciale ka nisur hetime lidhur me rastin e ambalazhuesve.

Sipas “Nacionale”, e cila ka publikuar foto të dokumentit, Prokuroria ka marrë aktvendim për zgjerim të hetimeve, teksa Aliu po hetohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Gjatë ditës, KALLXO.com është përpjekur të marrë informacione në lidhje me pretendimet për hetime ndaj ministrit Liburn Aliu, mirëpo Prokuroria Speciale e Kosovës nuk e ka konfirmuar një informacion të tillë.

Zyrtari i Ministrisë, Izedin Bytyqi, është arrestuar gjatë aksionit të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, të martën më 08.10.2024.

Dy institucionet njoftuan se Bytyqi u arrestua për veprat penale – keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar, dhe – armëmbajtje pa leje.

Kurse, pak ditë më vonë u arrestua edhe zyrtari tjetër, Naser Hafizi.

Valon Hoti, këshilltar i lartë politik i ministrit Liburn Aliu, kishte reaguar rreth aksionit të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale në ambientet e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Ai kishte thënë se as ministri e asnjë anëtar i kabinetit nuk është subjekt hetimi për asnjë lëndë, duke shtuar se ky është sqarim “rreth tentimeve për manipulim të opinionit publik”.

“Tek rasti i ambalazhuesëve dhe zhurmave që janë bërë në studio televizive, qëndrojmë deri në fund me argumentet dhe faktet që kemi publikuar e të cilat kanë bërë demantim të shumë zërave propagandues gjithandej” – thotë ai.

Bastisje në ministrinë e drejtuar nga Liburn Aliu

Shënim: Artikulli është edituar, me ç’rast është përfshirë edhe linku i lajmit që flet për fillimin e hetimeve ndaj ministrit Aliu, si dhe me informacionin për përpjekjet e KALLXO.com për të konfirmuar informacionin. Koha e editimit: 21.10.2024, ora 20:50.