Ministri Aliu njofton për themelimin e Odave të Arkitektëve dhe të Inxhinierëve

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), Liburn Aliu, përmes një konference për media ka njoftuar për themelimin e Odave të Arkitektëve dhe të Inxhinierëve në Kosovë.

Aliu para gazetarëve tha se ky proces ka kohë që ka nisur, sipas tij, që nga viti 2016.

Këto dy oda, sipas Aliut, do të shërbejnë edhe për licencimin e profesionistëve në fushën e arkitekturës dhe të inxhinierisë.

“Për një kohë të gjatë i gjithë procesi i ndërtimit është bazu në diplomat e inxhinierëve dhe profesionistëve, por jo në një proces të mirëfilltë të licencimit nga ekspertët. Kjo për shkak se për një kohë të gjatë ka pasur telashe për themelimin e Odës së Arktitektëve dhe të Inxhinierëve. Ka pasur tentativa më të hershme me udhëzime administrative, të cilat nuk kanë rezultuar me sukses në procesin e licencimit dhe nga viti 2016 e këtej është synu të hartohet ligji” – tha Aliu.

“Në vitin 2022 arritëm ta miratojmë ligjin për Odat e Arkitektëve dhe Inxhinierëve dhe t’i hapim rrugë mundësisë së licencimit së pari dhe krijimit të odave. Normalisht pas miratimit të ligjit kanë pasu miratimi i udhëzimeve dhe rregulloreve të cilat është dashtë të hartohen nga ky komision, që të mund të fillojmë me këtë proces”.

Ministri bëri të ditur se deri më tash kanë aplikuar dhe janë licencuar në total 1,669 arkitektë dhe inxhinierë.

“Numri total që kanë aplikuar dhe janë licencuar janë 1,669 arkitektë dhe inxhinierë, prej të cilëve 766 janë arkitektë, inxhinierë të ndërtimit janë 696, inxhinierë të elektroteknikës janë 124, inxhinierë të makineriësë janë 83” – tha ai.

Ministri Liburn Aliu nuk u përgjigj konkretisht në pyetjen e KALLXO.com se “mos licencimi në këto oda, a mund të kufizojë mundësinë e punësimit të arkitektëve dhe të inxhinierëve në institucionet publike”, duke thënë se “nuk mund të veprosh pa qenë i licencuar”.

“Licencimi e bën profesionistin një punëtor të rregullt brenda një sistemi dhe ky proces është lehtë i realizueshëm, pasi në njërën anë është thirrja universitare, e pastaj është përvoja e punës dhe të qenurit pjesë e përgjegjësisë në kuadër të sistemit. Nuk mundesh të veprosh pa qenë i licencuar dhe në momentin që e shkel etikën profesionale, do të mirret licenca. Pra është licenca ajo që mundet t’i marrësh një profesionisti, diplomën s’mundesh me ia marrë. Një profesionist të mund të përfshihet në procesin e ndërtimit, duhet ta ketë licencën” – tha ministri Aliu.

Në muajin dhjetor të këtij viti pritet të mbahen kuvendet përkatëse të odave, për të zgjedhur organet dhe strukturat udhëheqëse.