Foto: KALLXO.com
Ministri Aliu: Kostoja do ishte shumë e madhe për heqjen e hidrocentraleve nga parqet kombëtare
Disa organizata mjedisore në Kosovë tash e disa ditë kanë nisur një peticion, përmes së cilit po kërkojnë që të ndalohet funksionimi i hidrocentraleve në parqet kombëtare të Kosovës. Ata kanë marrë shembull një vendim politik të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, të cilët vite më parë ndaluan hidrocentralet në parqet kombëtare në shtetin e tyre..
Në lidhje me këtë çështje, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, tha se nëse i heqin krejtësisht këto hidrocentrale mund të përballen me pasoja të mëdha të kostos që duhet t’i paguajnë pastaj si Qeveri.
“Ministria e Mjedisit nga pikëvështrimi i ngushtë do t’i donte gjërat e tilla, por si Qeveri varësisht nga kostoja e madhe varet se si do vepronte në këtë situate”- u përgjigj Aliu në pyetjen e KALLXO.com.
Edhe pse, sipas Aliut, nëse do arrihej një gjë e tille do të ishte shumë mirë, porse ai thotë se këto kanë një kosto e që nuk është vetëm Ministria e Mjedisit që vendosë, por është përgjegjësi edhe e ministrive tjera të cilat duhet ta paguajnë koston për heqjen e atyre hidrocentraeve.
“Nismat e tilla gjithmonë i kanë pasoja e veta. Këto kanë qenë projekte të mëhershme që i është dhënë leje, ka pasur procese gjyqësore të vazhdueshme të cilat në një farë mënyre e kanë diktuar rrjedhën e këtij procesi. A janë projekte të mira? Nuk janë projekte të mira. Unë i kam parë të gjitha agto rrjedha lumore të cilat një pjesë e madhe e ujit të tyre është futur në gypa. Të gjitha këto projekte e pakësojnë ujin për ujitje, për ujë të pijes, sidomos për ujitje për zonat përreth për botën e gjallë që jeton në ujëra”- tha Aliu.
Çfarë mund të bëjnë si Ministri, Aliu tha se mund që të kontrollojmë sasinë e ujit e cila futet në gypa, duke mos i lejuar kompanitë që të sherrin lumin, “por me ju nejtë gati me matës për me kontrollu sasinë e ujit që e përdorin për prodhim të energjisë”.
Aliu tha që për këto hidrocentrale janë dhënë leje pa pasur plane të menaxhimit të pellgjeve lumore, pra pa plan hapësinor, zhvillimor komunla ose harta zonale e komunës në bazë të cilës jepet leja e ndërtimit.
“Këtu janë dhënë lejet pa plan ka pasoja. Njëjtë këtu janë dhënë leje ndërtimore pa plan në vendin ku do të ndërtohet sot Diga e Firajës, bash në atë vend është një hidrocentral”- shtoi ai.
Përveç peticionit, organizatat kanë dorëzuar një ankesë në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë në Vjenë, pjesë e së cilit është edhe Kosova, për të hetuar rastet e hidrocentraleve.
Egzona Shala, aktiviste mjedisore nga Organizata ‘Eco-Z’, ditë më parë tha se hidrocentralet në parqe kombëtare janë më problematiket, ato janë më që e cënojnë parimisht të drejtën e ekzistimit si Park Kombëtar, janë në dispropocion dhe nuk janë në pajtim me ligjet e Parkut Kombëtar.
“Fokusin e ka në parqet kombëtare të Kosovës dhe hidrocentralet që gjenden në Parkun e Sharrit, që janë katra të identifikuara si hidrocentralet e MATKOS-it, edhe katër hidrocentralet që janë të identifikuara në Bjeshkët e Nemuna, si hidrocentralet e KELKOS-it”- tha Shala.
Sipas saj, edhe vetë si hidrocentrale mënyra e përzgjedhjes së tyre, mënyra e funksionimit të tyre, mënyra e krijimit të tyre, ka qenë e identifikume dhe e vërtetuar që ka shumë shkelje ligjore në proces.
“Andaj thirrja jonë është që të largohen hidrocentralet nga këto dy parqe kombëtare të Kosovës”- kishte kërkuar ajo.
Shala, tha se Komuniteti i Energjisë mundet ta fillojë hetimin dhe t’i dërgoj ekipet e tyre që t’i argumentojnë provat e tyre.
“Për tutje nënkupton nëse është rasti për gjykata, nëse është rasti për tërheqje të vërejtjes së Kosovës, ose nëse është rasti për hapjen e negociatave, ose nëse ka nevojë për përkrahje që ta identifikojnë këtë problem dhe ta vendosin një zgjidhje adekuate”- kishte thënë ajo.
Peticioni dhe ankesa janë hapat fillestarë që organizatat mjedisore në Kosovë kanë ndërmarrë. Për të sfiduar çështjen e hidrocentraleve ata kanë paralajmëruar që t’i drejtohen edhe gjykatës.