Ministri Abrashi thotë se u izolua nga 9 nëntori, por demantohet nga ministria e tij dhe Aviacioni Civil

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi sot gjatë ditës u pa në terren bashkë me kolegun e tij ministër, Agim Veliu dhe ushtruesin e detyrës së kryetarit të Podujevës, Nexhmi Rudari, i cili është kandidat i LDK-së për kryetartë kësaj komune.

Por, dhjetë ditë më parë, vetë Abrashi përmes një njoftimi në Facebook tha se ka rezultuar pozitiv me COVID-19.

Pas reagimeve se ai nuk respektoi 14 ditët për izolim, ashtu siç rekomandon Ministria e Shëndetësisë, ai ka dhënë një sqarim.

“Më 18 e kam shkruar statusin. A në izolim kam qenë nga mbrëmja e 9 nëntorit. Sot kam dal në punë, pas 17 ditësh”, u përgjigje Abrashi në komentet që kritikonin daljen e tij në terren ditën e sotme.

Por, ndryshe siç ka deklaruar Abrashi, thuhet në një njoftim të ministrisë që ai drejton. Më 10 nëntor, Ministria e Infrastrukturës njoftoi se Abrashi ishte për një vizitë në Aeroportin e Prishtinës.

“Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, bashkë me drejtorin e përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil, Bujar Ejupi, kanë vizituar Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, ku u mbikëqyren masat e ndërmarra nga operatori i aeroportit LIMAK, me qëllim të frenimit të përhapjes së COVID-19”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Se, më 10 nëntor ai ishte i pranishëm në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, e kanë thënë edhe nga Aviacioni Civil i Kosovës, ku njoftuan për vizitën e drejtorit të këtij institucioni së bashku me ministrin, Arban Abrashi.

“Ministri Abrashi ka vizituar sot ANP “Adem Jashari” për të parë nga afër zbatimin e masave anti-COVID-19”, thuhet në postimin e AACK-së që mban datën 10 nëntor 2020.

A e theu izolimin ministri Abrashi? Albulena Haxhiu kërkon veprime nga hetuesia

www.kallxo.com