Arban Abrashi. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministri Abrashi: Pas dy javësh përfundojnë punimet tek udhëkryqi i Janjevës

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, bashkë me kryetarin e Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti kanë vizituar të dielën punimet që po zhvillohen në rrethrrotullimin në rrugën nacionale- N2, Prishtinë-Ferizaj, përkatësisht tek udhëkryqi i Janjevës.

Abrashi paralajmëroi se pas dy jave vendoset shtresa e fundit dhe bëhet sinjalizimi i këtij udhëkryqi, të cilin e quajti të rëndësishëm për tërë Kosovën.

“Sot është fillimi i përfundimit të punimeve në një udhëkryq shumë të rëndësishëm jo vetëm për Lipjanin por për tërë Kosovën. Fatkeqësisht ky udhëkryq ka qenë një pikë e zezë, ka marrë shumë jetë njerëzish për shkak të mungesës së kushteve. Por pas një projekti që është stërgjatur, sot po fillon që të marrë formën perfundimtare. Ndërtimi i rrethit ka me mundësuar lehtësimin e qarkullimit me automjete në këtë rrugë nacionale. Sot po i shohim shtresat fillestare, pas dy jave vendoset edhe shtresa e fundit edhe sinjalizimi ”, u shpreh Abrashi.  

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, theksoi se ky projekt është ndër më të mirëpriturit nga ana e qytetarëve të kësaj komune.

“Po finalizohet një projekt që ka filluar bukur moti, fakt ka më shumë se pesë vite. Është rifillu në kohën e ministrit Lumir Abdixhiku dhe po përfundohet me një intensitet të jashtëzakonshëm me ministrin Abrashi”, u shpreh ai.