Ministrat Krasniqi dhe Sveçla vizitojnë komunat që pësuan nga përmbytjet e shiut

Qeveria e Republikës së Kosovës ka njoftuar se ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka vizituar sot komunat e prekura nga përmbytjet e shiut, për të parë gjendjen dhe për të ofruar ndihmën e nevojshme.

Sipas njoftimit të qeverisë, Krasniqi është takuar me kryetarin e komunës së Rahovecit dhe atë të Gjakovës.

“Pas reshjeve të shumta të shiut, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, z.Elbert Krasniqi, po viziton komunat e prekura, për të parë gjendjen dhe për të ofruar ndihmën e nevojshme. Me Kryetarin e Komunës së Rahovecit, z.Smajl Latifi, ministri Krasniqi pa nga afër gjendjen nga vërshimet në fshatin Bellacerkë, Ratkoc dhe Radoste. Nga Rahoveci, ministri Krasniqi vazhdoi për në Gjakovë, që me Kryetarin z.Ardian Gjini, të vizitojnë zonat e prekura nga vërshimet dhe dëmet e shkaktuara”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Gjithashtu Qeveria ka njoftuar se komunat e prekura nga vërshimet po vizitohen edhe nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Zëvendësministri i Ministrisë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi.