Ministrat e Qeverisë Haradinaj që s’ia dolën të bëhen deputetë

Rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit janë dëshpëruese për disa nga ministrat e qeverisë së fundit të udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

Megjithëse për mbi dy vjet qeverisje kishin pasur role udhëheqëse në dikastere të ndryshme të ekzekutivit, shumë prej ish-ministrave nuk morën besimin për të qenë përfaqësues të popullit në Kuvend.

Ish- kryeministri Ramush Haradinaj, ka marr votat e nevojshme për ligjvënës, me gjithsej 75, 917 vota, por që muajin e kaluar kishte hequr dorë nga posti i deputetit të Kuvendit të Kosovës ende pa u formuar legjislatura e re.

Nga koalicioni PDK-AAK-Nisma (PAN) që ishte pjesë e ekzekutivit me plot 21 ministri, 11 ministra nuk arritën që të sigurojnë votat për t’u bërë deputetë.

Sipas të dhënave të KQZ-së, Nisma-AKR-PD nuk ka arritur të jetë pjesë e legjislaturës së shtatë, pasi ka marr 42 mijë  e 72 vota apo 4.984 për qind, përderisa për ta kaluar pragun nevojiten 5 për qind e votave.

Ministrja në detyrë e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha (PDK) nuk është bërë deputete pasi që i ka marr vetëm 2 mijë e 993 vota.

Ministri në detyrës i Tregtisë dhe Industrisë nga Nisma Socialdemokrate, Endrit Shala, në zgjedhjet e 6 tetorit i ka marr vetëm 6 mijë e 819 vota.

Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani, i cili ka qenë pjesë e Nismës, për të kaluar më pas në AAK, nuk ka arritur të bëhet deputet nga zgjedhjet e 6 tetorit. Sipas rezultateve përfundimtare, Hasani i ka marr vetëm 2 mijë e 301 vota.

Në anën tjetër, ish-ministrja e Mjedisit, Albena Reshitaj, pjesë e koalicionit AAK-PSD, është bërë deputete pasi ka marrë 6 mijë e 40 vota.

Kurse, ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, nga radhët e AKR-së, Valdrin Lluka ka marr 2 mijë e 851 në zgjedhjet e sivjetme.

Edhe ministri tjetër në largim i Nismës, Skender Reçica i cili e ka udhëhequr Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka grumbulluar 3 mijë e 597 vota.

Ndërsa, ministri në detyrë i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi (AKR) më 6 tetor ka arritur t’i marr 4 mijë e 280 vota.

Ekrem Mustafa, ministër në detyrë i Punëve të Brendshme nga AKR-ja i ka marr vetëm 774 vota.

Nga radhët e koalicionit AAK-PSD, deputet nuk arriti të bëhej as ministri në detyrë i Mbrojtjes Rrustem Berisha.

Edhe ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi që para zgjedhjeve aderoi nga Nisma në PSD, nuk ka marrë votat e nevojshme për ligjvënës duke grumbulluar vetëm 2 mijë 323 sosh.

Në anën tjetër, ministri në detyrë i Jashtëm njëherësh zëvendëskryeministër, Behgjet Pacolli ka marrë 10 mijë e 525 vota.

As Dijana Zhiviq nga Partia Liberale Serbe e Kosovës, ministre në detyrë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvilimit Rural nuk u bë deputete, pasi ka marrë vetëm 989 vota.

Mahir Yagilar nga Partia Demokratike Turke e Kosovës, i cili është ministër në detyrë i Administratës Publike, i hyri garës për deputet, por me 6 tetor mori vetëm 2 mijë 831 vota.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), sot ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve nacionale të këtij viti.

Nga kjo garë elektorale, Lëvizja Vetëvendosje ka dal partia e parë, me 220,811 vota ose 26.159% apo 32 deputetë; LDK më 6 tetori grumbulloi 205,458 vota apo 24.458% me 29 deputetë. Partia e tretë ka dalë PDK me 178,645 vota apo 21.163% apo 25 deputetë. Koalicioni AAK-PSD ka marr 96,883 vota apo 11,477% apo 14 deputetë.

Kurse, Lista Serbe ka marr 10 deputetë apo 57,015 vota apo 6,754%.