Ish-këshilltari i lartë, Eset Berisha dhe ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj

Ministrat e LDK-së nuk votuan për shkarkimin e Eset Berishës, ish-këshilltarit të Pal Lekajt

Më 12 maj, në një mbledhje në distancë, Qeveria në detyrë e Kosovës mori vendim për shkarkimin e Eset Berishës, Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil.

Në njoftimin e kryeministrisë u dhanë edhe disa arsye për shkarkimin e tij.

“Z. Berisha ka hartuar dhe nënshkruar Rregulloren e brendshme të AAC-së në kundërshtim me ligjin, ka degraduar stafin menaxhues pa vlerësim të përformancës, ka mbajt detyra tjera me pagesë njëkohësisht, dhe ka rrezikuar Qeverinë e Republikës së Kosovës në dërgim në arbitrazh. Emërimi i z. Eset Berisha, si Drejtor i Përgjithshëm i AAC-së ka qenë në kundërthënie me ligjin qysh prej fillimit”, thuhej në njoftim të Qeverisë në detyrë.

Me këto arsye nuk u pajtua vetë Eset Berisha.

Eset Berisha ishte emëruar në krye të Aviacionit Civil të Kosovës në nëntor të vitit të kaluar nga ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, qeveria e të cilit edhe në atë kohë ishte në detyrë.

Berisha ishte edhe këshilltar i ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Vendimin për shkarkimin e Eset Berishës nuk e kishte iniciuar ministri aktual i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku. Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës funksionin nën ministrinë që drejtohet nga ministri i LDK-së, Abdixhiku.

KALLXO.com merr vesh se asnjë nga ministrat e LDK-së nuk ka marrë pjesë në votimin për shkarkimin e Eset Berishës.

KALLXO.com ka provuar të marrë një përgjigje nga ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit rreth (mos)votimit për shkarkimin e Eset Berishës, por ai nuk është përgjigjur.

Në janar të këtij viti, në Berlin të Gjermanisë u nënshkrua një marrëveshje për linjën ajrore në mes Prishtinës dhe Beogradit.

Atë kohë, vetë Berisha kishte dhënë detaje mbi këtë marrëveshje.

I njëjti, përmendi si njërën prej arsyeve kryesore për shkarkimin e tij nga posti i Aviacionit Civil.

Por, për marrëveshjen në Berlin nuk ishte njfotuar kryeministri, Albin Kurti. Ai, madje, kishte thënë se zyrtarët të cilët nënshkruajtën marrëveshje me Serbinë ishin të autorizuar nga ish-ministri Pal Lekaj.

“Sot në Berlin janë nënshkruar dy marrëveshje nga zyrtarë të autorizuar nga ish-ministri Pal Lekaj dhe i gjithë procesi i negocimit është bërë para fillimit të Qeverisë sonë. Së këndejmi, këta zyrtarë nuk kanë marrë autorizim nga Qeveria e re as për të negociuar e as për të nënshkruar marrëveshje”, shkruante Kurti në Facebook pas nënshkrimit të marrëveshjeve ajrore dhe hekurudhore.

Qeveria shkarkon drejtorin e Autoritetit të Aviacionit Civil, ish-këshilltar i Pal Lekajt

wwwkallxo.com